Molliqaj: U vërtetua që sovraniteti politik i Qeverisë Kurti në veri është zero

Molliqaj: U vërtetua që sovraniteti politik i Qeverisë Kurti në veri është zero

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj thotë se bashkë me dështimin e referendimit në veri, u vërtetua që sovraniteti politik i qeverisë tonë në atë pjesë është zero.

Ai thotë se qysh në fillim instalimi i kryetarëve shqiptarë pa kurrëfarë legjitimiteti, ishte gabim.

“Tri vite “dialog” përmes njësive speciale policore, vetëm sa i bashkoi serbët kundër institucioneve të Kosovës. Sot, edhe më shumë se në zgjedhjet e fundit lokale atje, serbët e refuzuan totalisht procesin. Ata dëgjuan Listën Serbe, e jo institucionet tona.

Qysh në fillim, instalimi i Kryetarëve shqiptarë pa kurrëfarë legjitimiteti, ishte gabim. Dhe gabim vazhdon të jetë edhe mbajtja e tyre me zor në ato pozita që nuk kanë asnje efekt real përpos që janë instrumente në dorën e populistit Kurti”, thotë ai.

Tutje Molliqaj thekson se taktikat e Kurtit na kanë sjellë marrëveshje katastrofale.

“Ky tension i tri viteve e ka bërë Asociacionin, Superzajednicë. Taktikat e Kurtit na kanë sjellë marrëveshje katastrofale. Në veri kemi kryetar me 200 vota, e në Kosovë kemi sanksione, izolim dhe stagnim. Kësaj marrëzie duhet t’i japim fund”.

Related Articles