Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, beson që Vetëvendosja nuk ka interes të vendosë drejtësi për Astrit Deharin.
Siç u shpreh në emisionin “Rubikon” të Klan Kosovës, kjo parti ka interes gjithçka tjetër, përveç se për këtë.
Ai po ashtu vlerëson se numri i njerëzve publikë që kanë dëshirë për të pasur drejtësi për Astrit Deharin është zvogëluar.
“Ndoshta ka qenë më i madh, por edhe ata që kanë qenë goxha, janë zvogëluar. Ka tendencë për instumentalizim të rastit, kujtdo e kurdo që i konvenon. Veç shikojeni rastrin Abazi në fund dhe e kuptoni kush kë në fillim e akuzon që e kanë vrarë Deharin, e tash i akuzon këta të tjerët”.
“Mua më duket që ky rast ka për të mbetur aktual për dy arsye: që edhe pushtetet e kaluara që kanë përgjegjësi drejtpërsëdrejti për vdekjen e tij, se mua nuk ka kush që ma heq nga mendja që organet e drejtësisë, përfshirë edhe policinë në veçanti, kanë vepruar në arrestimin e 6 aktivistëve nën presionin e pushtetit për të vërtetuar se kinse kauzat e opozitës të asaj kohë janë terroriste, pra s’ka asnjë dilemë për këtë punë, ishte ngutia në arrestim dhe dështimi në mënyrë spektakolare i procesit gjyqësor”.
“Edhe pushtetet e kaluara e kanë këtë përgjegjësi, por hiç më pak pushteti aktual nuk ka”, deklaroi Molliqaj.