Gruaja e Christian Eriksen, Sabrina Kvist Jensen doli në fushë, me lot në sy dhe e tmerruar, gjatë trajtimit që mjekët po i bënin burrit të saj në fushën e lojës.
Kapiteni i Danimarkës, Eriksen, i cili luan për Interin, ra në tokë pa ndjenja në minutën e 43-të sa rezultati i ndeshjes ishte 0-0.
Ndeshja është pezulluar përkohësisht pasi mjekët ndërhynë me masazh në zemër, duke përdorur edhe defibrilator.
Lojtarët në fushë menjëherë kuptuan peshën e situatës dhe shumica nga ta ishin me lot në sy teksa po shihnin gjendjen e kapitenit të tyre.
Megjithatë, njëra nga skenat më prekëse padyshim se ishte zbritja e gruas së Eriksenit në fushën e lojës, teksa nuk mund t’i ndalte lotët.
E rrethuar nga portieri Kasper Schmeichel dhe kapiteni Simon Kjaer, zonja Eriksen mbeti në një distancë, duke u ngushëlluar nga shokët e skuadrës së mesfushorit të Interit.
Disa fotografi të zonjës Eriksen që po qarkullojnë në rrjetet sociale kanë thyer zemrën e secilit sportdashës./Gazeta Enigma/