Derisa numri i viktimave nga tërmeti shkatërrues në Marok po rritet, një video që po qarkullon në rrjetet sociale, po bën xhiron e botës.
Bëhet fjalë për videon ku ekipet e shpëtimit arrijnë të nxjerrin të gjallë nga rrënojat – foshnjën e porsalindur që e kishin mbështjellë me batanije.
Videoja po cilësohet si shpresë për jetë, kurse foshnja sipas mjekëve gëzon shëndet dhe pas ekzaminimeve i është dorëzuar familjarëve.
Deri më tani shumë qytetarë të Marokut po refuzojnë të kthehen në shtëpitë e tyre nga frika se mund ta pësojnë me jetë nga ndonjë tërmet tjetër, që do të shembte edhe ato pak shtëpi që kanë mbetur pa u shkundur.
Ndërkaq ekipet e shpëtimit janë duke punuar pa ndërprerë, me shpresën se do të arrijnë të nxjerrin sa më shumë të gjallë që kanë mbetur të ngujuar.
Ekspertët e fushës vlerësojnë se numri i viktimave të tërmetit mund të jetë akoma më i madh, për faktin se tërmeti kishte ndodhur natën dhe se nuk dihet se ku kishin përfunduar turma kur ndien lëkundjet.