Moscertifikimi i Listës Serbe, reagon Quint dhe BE: Minim i parimeve të demokracisë

Moscertifikimi i Listës Serbe, reagon Quint dhe BE: Minim i parimeve të demokracisë

Shtetet e QUINT-it dhe Bashkimi Evropian e kanë cilësuar minim të parimeve të demokracisë moscertifikimin e Listës Serbe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

Në një reagim të premten, ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Zyra e BE-së në Kosovë kanë shprehur shqetësim për “përpjekjet nga akterë politikë për ta kufizuar konkurrencën mes partive politike që përfaqësojnë komunitetet joshumicë, para zgjedhjeve lokale të 12 tetorit”.

“Çdo veprim i tillë për t’i përjashtuar disa komunitete minon parimet demokratike dhe dëmton besimin ndaj institucioneve të Kosovës”, thuhet në reagim.

QUINT ka theksuar se pret që Qeveria në largim dhe partitë tjera të përmbahen nga hapat e mëtejmë që pengojnë regjistrimin e partive, si dhe u ka bërë thirrje partive të prekura nga vendimet që të ankohen në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Një ditë më parë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk e certifikoi Listën Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Me dy vota për, dy kundër dhe shtatë abstenime, certifikimi u refuzua, pasi paraprakisht anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ publikuan dokumente që tregojnë se kandidatë të Listës Serbe për kryetarë komunash apo asamblistë mbajnë pozita në organet paralele të Serbisë në Kosovë.

E të premten, kjo parti paralajmëroi ankesë në PZAP.

Related Articles