Qeveria e Kosovës, të enjten shpalli si terroriste organizatat “Mbrojtja civile” dhe “Brigada e Veriut” që veprojnë në veri të vendit. Ky veprim po del të jetë i pa koordinuar me shtetet aleate të Kosovës, anipse ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha se “gjithçka ndodhi me koordinim”.
Sveçla, në një konferencë për media, tha se veprimi është bërë në pajtueshmëri me faktorin ndërkombëtar duke i përmendur edhe BE-në, EULEX-in e KFOR-in.
“Nuk ka këtu kurrfarë befasie, unë po ju them se ne në vazhdimësi koordinohemi me të gjithë aleatët tanë, me disa herë pajtohemi, herë s’pajtohemi, por këta e ka koordinimi”, tha Sveçla.
I menjëhershëm qe reagimi nga Departamenti amerikan i Shtetit i cili e kualifikoi veprim të pakoordinuar vendimin e së enjtes të Qeverisë së Kosovës për shpalljen e dy formacioneve ilegale serbe – “Mbrojta Civile” e “Brigada e Veriut” – si organizata terroriste.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës e përgënjeshtruan Qeverinë e Kosovës në pretendimin se për shpalljen e formacioneve ilegale serbe – “Mbrojtja Civile” e “Brigada e Veriut” – si organizata terroriste, ka pasur koordinim me partnerët ndërkombëtarë.
“Vendimi i Qeverisë së Kosovës për të shpallur këto grupe si organizata terroriste nuk ka qenë i koordinuar me SHBA-në dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë. Ky vendim do të duhej të koordinohej me partnerët më të ngushtë ndërkombëtarë të Kosovës, përfshirë ata të cilët kanë përgjegjësinë primare për të siguruar stabilitetin e Kosovës. Ne sërish i bëjmë thirrje Kosovës që të përmbahet nga hapat e njëanshëm përderisa ne po punojmë me të gjitha palët për të zgjidhur krizën aktuale”, tha një zëdhënës i DASH-it.
Zëdhënësi i DASH-it tha se SHBA-ja dënon dhunën “e papranueshme ndaj trupave të misionit të NATO-s, KFOR”.
“Ata që kanë kryer për këto sulme duhet të mbahen përgjegjës, pas një procesi të rregullt me transparencë të plotë”, tha zëdhënësi.
Qeveria e Kosovës më 29 qershor i shpalli këto dy organizata si terroriste.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha gjatë arsyetimit të vendimit se këto dy organizata, që veprojnë në veri, paraqesin “kërcënim serioz dhe të drejtpërdrejtë për rendin kushtetues dhe sigurinë në Kosovë”.
Sipas Kurtit, këto dy organizata kanë kryer veprime “me elemente terroriste”, si: sulme të armatosura ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, pjesëtarëve të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit – EULEX dhe ushtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.
Në anën tjetër, “Brigada e Veriut”, që u shpall organizatë terroriste nga Qeveria e Kosovës, në një mesazh në Telegram të premten ka thënë se nuk synon “të shkojë nga Kosova”.
Nga “Brigada e Veriut” kanë thënë se masa nuk do t’i ndalojë që të luftojnë “për Serbinë dhe unitetin”, porse për arsye të sigurisë më nuk do të njoftojnë publikisht për lëvizjet e tyre.
I njëjti mesazh është përcjellë edhe të premten. Aty ndjekësve të kanalit u bëhet e ditur se kanali s’do ta mbajë më emrin që ka pasur e as nuk do t’i përcjellë raportimet e “anëtarëve të organizatës”.