Disa organizata joqeveritare serbe kanë reaguar në lidhje me vendimin e fundit të Qeverisë së Kosovës për të mos ia lejuar hyrjen në Kosovë të Patriarkut të Kishës Ortodokse Serbe, Porfirje.
Sipas tyre, praktika e deritanishme e autoriteteve të Kosovës është në kundërshtim me dispozitat e “Planit të Ahtisaarit”, ku thuhet se i njëjti përcakton qartë të drejtat, privilegjet dhe imunitetet për klerikët e Kishës Ortodokse Serbe.
Përkatësisht, neni 1.6. Shtojca V parashikon se: “Kosova nuk mund të ndalojë arbitrarisht hyrjen ose qëndrimin në Kosovë për priftërinjtë, seminaristët, murgjit, murgeshat, laikët dhe personat e tjerë të ftuar dhe anëtarët e Kishës Ortodokse Serbe”. Një vendim i tillë është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, si dhe me konventat ndërkombëtare, të cilat garantojnë lirinë e lëvizjes si e drejtë themelore e njeriut (e garantuar edhe me nenin 13 të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut)”, thuhet në reagimin e tyre.
Tutje, në reagim thuhet se refuzimi për vizitën e patriarkut, nuk është akt i izoluar ndaj Kishës Ortodoske Serbe, pasi sipas tyre, Qeveria e Kosovës është duke refuzuar zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për Manastirin e Deçanit.
“Duke pasur parasysh të gjitha që u potencuan më sipër, i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që t’i kërkojë falje Patriarkut dhe Kishës Ortodokse Serbe për vendimin në fjalë, si dhe të mos e përsërisë vendimin në të ardhmen, i cili është në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet aktuale në Kosovë. Veçanërisht theksojmë se rrethanat politike në Kosovë nuk mund dhe nuk duhet të përdoren si arsyetim për shkeljen e Kushtetutës, ligjeve dhe konventave ndërkombëtare. Gjithashtu, kërkojmë nga qeveria e Kosovës që sa më shpejt të zbatohet vendimi i vitit 2016 për kthimin e tokës Manastirit të Deçanit”, thuhet në reagimin e OJQ-ve.
Më tej, këto organizata i bënë thirrje organizatave ndërkombëtare në Kosovës që të mos heshtin ndaj vendimeve të tilla, pasi sipas tyre, këto vendime ngrenë tensione.
“Presim që ata të njoftojnë nëse ndalimi i vizitës së Patriarkut dhe vendosja e kushteve politike për hyrje në Kosovë është në përputhje me vlerat dhe normat e një shoqërisë që ushqen postulatet themelore të demokracisë dhe respektimit e të drejtave dhe lirive të njeriut. Gjithashtu presim që angazhimi i tyre aktiv, pasi që sundimi efektiv i ligjit dhe respektimi i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, nuk do të mbesin vetëm fjalë në letër, ndërkohë që në të njëjtën kohë ekziston një praktikë në Kosovë, ku lejohen shkeljet e këtyre të drejtave dhe tolerohen”, thuhet në reagim.
Organizatat joqeveritare që e nënshkruan këtë reagim janë Qendra për avokim per kulturë demokratike (ACDC)
Qendra për avokim per kulturë demokratike (ACDC)
Forumi për zhvillim dhe bashkepunim multietnik (FDMC)
Qendra humane Mitrovicë
Instituti për zhvillim ekonomik territorial (InTER)
Komunikimi për zhvillim të shoqrisë (CSD)
Iniciativa e re sociale (NSI)
NVO Aktiv
Gracanica online
Shoqata e grave afariste Avenija
Qendra për iniciativa sociale
Veprimtaria e Partesh Rinore
Etno izvori Gračanica