Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës bën të ditur se fushat me presion të ulët të cilat kanë përfshirë vendin do të vazhdojnë ndikimin e tyre edhe për gjatë javës, duke ndikuar të kemi një mot të ndryshueshëm.
IHK njofton se pjesët e para të ditës zakonisht fillojnë me rreze dielli, por gjatë ditës, rrezet e diellit do të zëvendësohen me vranësira reshje shiu dhe shkarkime elektrike.
Për shkak të gjendjes së lartë termike që ishte në mesjavë dhe proceseve tjera termodinamike në troposferë, rrezikohen disa zona të izoluar me reshje breshëri (breshnizë).
Sa i përket temperaturave, ato mbesin në vlera të njëjta me këto të fundit, duke i ruajtur mesataret e viteve tjera të muajit gushtë.
Kjo situatë meteorologjike do të ndikojë pozitivisht në kushtet biometeorologjike, hidrologjike dhe atyre agrometeorologjike, meqë mungesa e reshjeve është prezent kohëve të fundit.
Temperaturat minimale gjatë këtyre pesë ditëve të parashikimit do të lëvizin ndërmjet 12-16 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 23-29 gradë Celsius. Indeksi UV mbetet në vlerat e mesatareve.