Mëngjesi i sotëm ishte i përgjakshëm në shkollën fillore ‘Vladislav Ribnikar’ në Vraçar të Beogradit, pasi që një nxënës 14-vjeçar dyshohet se ka qëlluar me armë duke lënë të vdekur të paktën gjashtë persona, raporton Sinjali.
Ministria e Punëve të Brendshme në Qeverinë e Serbisë ka dalë me njoftim se numri i të vrarëve është nëntë, tetë nxënës dhe një rojë sigurie.
Po ashtu ata bëjnë me dije se kanë mbetur të lënduar rëndë një mësues dhe gjashtë nxënës, të cilët po trajtohen në Qendrën dhe Klinikën Emergjente në Tirsovë.
“Në oborrin e shkollës është gjetur dhe arrestuar nxënësi i kësaj shkolle K. K. (2009), i cili dyshohet se ka kryer këtë vepër penale. Të gjitha forcat e policisë janë ende në terren dhe po punojnë intensivisht për zbardhjen e të gjitha fakteve dhe rrethanat që çuan në këtë tragjedi”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Nova.rs raporton se një nga të plagosurit është në rrezik për jetën dhe i është nënshtruar intervenimeve kirurgjike për shkak të lëndimeve të rënda në kokë.