Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut e kanë dhënë versionin e tyre në lidhje me incidentin me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
Në njoftimin e MBP-së maqedonase thuhet se sot rreth orës 10:00 në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, teksa presidentja Osmani po kalonte kontrollin kufitar, në momentin kur asaj iu kërkua që telefonin ta kalonte përmes skanerit, një person nga sigurimi i saj është larguar nga punonjësja e TAV-së, me qëllim që ajo të kalonte pa telefon të skanuar dhe bagazh dore.
“Por më pas bagazhi u kthye dhe kaloi përmes një skaneri. Pas gjysmë ore erdhi një person nga sigurimi i kryetarit të Kuvendit Gashi (polic) me dy persona të tjerë (polic) dhe filluan të kërcënojnë punëtorët e TAV-së dhe të pyesin se kush i ka shkaktuar problem presidentit. Në të njëjtën kohë ka shtyrë edhe një punonjës policie që punonte në pikën kufitare”, thuhet në njoftim.
Më tej, MPB-ja maqedonase tha se menjëherë pas kësaj është njoftuar Departamenti për Kontroll të Brendshëm, Hetime Kriminale dhe Standarde Profesionale dhe se po merren masa për zbardhjen e rastit.