Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka reaguar pas raportimeve për ikje masive të qytetarëve të Kosovës drejt vendeve të Evropës me mjetin transportues autobus, duke i quajtur raportime të pavërteta, që sipas tij bëhen për të krijuar panik te qytetarët. Teksa pati edhe një thirrje për media, duke i ftuar “për korrektësi në raportim të lajmeve rreth kësaj teme dhe jo vetëm”.
Siç thotë Sveçla, të njëjtat përdoren edhe nga Serbia për qëllime politike e dashakeqe kundër Kosovës.
Ai po ashtu thotë se lajmet e tilla janë demantuar nga Stacioni i Autobusëve dhe nga të dhënat e Policisë së Kosovës/Departamenti i Kufirit, ku nga to bëhet e ditur se që nga 1 janari në Kosovë nga të gjitha pikat kufitare kanë hyrë 3687 autobusë, dhe kanë dalë 2408 autobusë.
“Lajmet e tilla janë demantuar nga Stacioni i Autobusëve e po ashtu demantohen lehtësisht edhe nga të dhënat e Policisë së Kosovës/Departamenti i Kufirit, ku dëshmohet se nuk bëhet fjalë për “ikje masive” të qytetarëve tanë apo flukse të autobusëve.
Sipas të dhënave nga pikat kufitare, nga 1 janari i këtij viti, kur vendi ynë gëzon të drejtën e lëvizjes së lirë pa viza e deri më sot, në Republikën e Kosovës nga të gjitha pikat kufitare kanë hyrë 3687 autobusë, ndërsa kanë dalur nga të gjitha pikat kufitare 2408 autobusë. Për të dëshmuar se nuk bëhet fjalë për “ikje masive” por me raportime dezinformuese nga disa mediume të papërgjegjshme, për të njejtën periudhë kohore, në vitin që lamë pas kanë hyrë 3511 autobusë ndërsa kanë dalur nga pikat kufitare 3731 autobusë. Pra, 35% më pak autobusë kanë dalur këtë vit pas liberalizimit të vizave sesa në vitin e kaluar”, ka shkruar Sveçla.
Sipas MPB-së, “rocesi i menaxhimit të udhëtimeve pas liberalizimit të vizave është duke shkuar në mënyrën më të mirë të mundshme”.