Ministria e Punëve të Brendshme ka reaguar publikisht lidhur me përdorimin e xhamave të errët në automjete, duke theksuar se kjo çështje është e rregulluar qartë me legjislacionin në fuqi në Kosovë.
Sipas njoftimit të MPB-së, përdorimi i xhamave të errët lejohet vetëm për automjetet që janë prodhuar si të tilla nga vetë prodhuesi, ndërsa vendosja e letrave ngjitëse për hijezim të xhamave është e ndaluar.
Përjashtime mund të bëhen vetëm në raste të jashtëzakonshme, dhe atë pas një vendimi të Ministrit të Punëve të Brendshme, i cili merret pas paraqitjes së një kërkese të arsyetuar dhe dokumentacionit përkatës.
MPB bën të ditur se baza ligjore për këtë rregullim është Ligji Nr. 05/L-132 për Automjete dhe Udhëzimi Administrativ (MPB) Nr. 12/2024, konkretisht neni 7, i cili përcakton qartë mënyrën e përdorimit të xhamave të errët.
Po ashtu, Departamenti Ligjor i ministrisë më 24 shkurt 2026 ka dhënë edhe opinion ligjor sqarues, duke theksuar se dispozitat e këtij udhëzimi administrativ janë të qarta dhe detyruese për zbatim, ndërsa çdo interpretim ndryshe nuk ka bazë ligjore.
Sipas MPB-së, këto rregulla synojnë rritjen e sigurisë në trafik, lehtësimin e kontrollit nga organet e rendit dhe parandalimin e aktiviteteve të paligjshme.
Ministria u ka bërë thirrje qytetarëve dhe institucioneve që të respektojnë dispozitat ligjore dhe të mos bien pre e keqinformimeve, duke paralajmëruar se çdo shkelje do të trajtohet në përputhje me legjislacionin në fuqi.
