Ministria e Punëve të Brendshme, ka njoftuar se qytetarët të cilët i posedojnë ende targat ilegale duhet t’i kthejnë në ato ‘RKS’ e për këtë nuk e kanë për obligim të paguajnë.
Në Agjencinë për Regjistrim Civil të Ministrisë së Punëve të Brendshme, është mbajtur takimi informues me udhëheqësit e Qendrave për Regjistrimin e Automjeteve.
“Në këtë takim u diskutua për zbatimin e Vendimit Nr. 01/85 të Qeverisë së Republikës së Kosovës të datës 29.06.2022, si dhe u vunë në pah modalitetet për formën se si do të shkojë ky proces për regjistrimin e mjeteve, sipas Udhëzimit Administrativ, Nr. 03/2022 për regjistrimin me targa “RKS” të mjeteve që posedojnë targat “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE” DHE “DA” APO “ĐA”, thuhet në njoftim.
Në takim gjithashtu u diskutua për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme që ky proces të fillojë nga data 1 gusht 2022 dhe të përfundojë me datë 30 shtator 2022, si dhe për informimin e qytetarëve me hapat konkretë që duhen ndjekur për regjistrimin e automjeteve.
Marrëveshja për targa mes Kosovës dhe Serbisë ishte arritur më 30 shtator 2021.
Ka pasur dyshime nëse kjo marrëveshje do të zbatohet në praktikë.