MPJD: Do të shfrytëzohen gjitha kanalet diplomatike për të siguruar që Spahiu të lirohet

MPJD: Do të shfrytëzohen gjitha kanalet diplomatike për të siguruar që Spahiu të lirohet

Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës ka reaguar të mërkurën ku kanë theksuar se janë informuar misionet diplomatike të vendeve të QUINT-it lidhur me rastin e arrestimit dhe caktimit të paraburgimit ndaj ish-pjesëtarit të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, Arbnor Spahiu. 

Spahiut më 9 qershor i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditëve nga Gjykata e Qarkut të Suboticës, ndërsa sipas deklarimeve të avokatit mbrojtës të tij Arianit Koci, ai po akuzohet për rastin e Banjskë. 

MPJD-ja ka thënë se do të shfrytëzohen të gjitha kanalet diplomatike në dispozicion për të siguruar që Spahiu të lirohet sa më parë. 

“Përveç kësaj, Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi ka dorëzuar menjëherë kërkesë zyrtare për lejimin e vizitës së Ambasadorit Jetish Jashari tek z. Spahiu në Qendrën e Paraburgimit në Suboticë.  Vizita pritet të realizohet në ditët në vijim, sapo të miratohet nga autoritetet përkatëse. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, përmes Zyrës Ndërlidhëse në Beograd, ka njoftuar për rastin misionet diplomatike të vendeve të Quint-it të akredituara në Beograd, dhe të gjithë Trupin diplomatik në Kosovë. Në mënyrë të veçantë, po mbahet komunikim i rregullt me Ambasadën e Republikës Federale të Gjermanisë, duke marrë parasysh se z. Spahiu ka qëndrim të rregullt në Gjermani. Republika e Kosovës do të vazhdojë të shfrytëzojë të gjitha kanalet diplomatike në dispozicion për të siguruar që kjo padrejtësi e radhës ndaj një shtetasi të Republikës së Kosovës të marrë fund, dhe që z. Spahiu të lirohet sa më parë”, ka njoftuar MPJD-ja. 

Related Articles