MSH: Të dielave nuk ka interesim të madh të qytetarëve për t’u vaksinuar

MSH: Të dielave nuk ka interesim të madh të qytetarëve për t’u vaksinuar

Dje ishte e diela e dytë që qytetarët kishin mundësi të vaksinoheshin. Por pavarësisht kësaj këtë të diel kishte interesim të vogël të qytetarëve për vaksinim, raporton Gazeta Enigma

Udhëheqësi i divizionit për media në Ministrinë e Shëndetësisë, Faik Hoti thotë se pavarësisht që ka termine të lira për vaksinim interesimi i qytetarëve ishte i vogël.

“Ajo që na shqetëson është se interesimi i qytetarëve për vaksinim ditëve të diela është i ulët. Përkundër insistimit që të fillohet vaksinimi edhe të dielave, nuk janë shfrytëzuar as 40% e kapaciteteve të vaksinimit në nivel vendi”, deklaroi Hoti për televizionin publik.

Ata që i kanë marrë vaksinat iu bëjnë thirrje qytetarëve që sa më parë të imunizohen.

“Është për shëndetin tonë të mbrohemi”, shprehet një qytetare që sapo ishte vaksinuar.

“Iu bëjë apel të rinjve dhe të gjithë qytetarëve të vaksinohen pasi është për shëndetin tonë dhe të tjerëve”, shprehet një i ri.

Ka edhe prej atyre që pas vaksinimit përfundojnë te ekipet e urgjencës.

Sipas mjekëve kjo vjen më shumë nga fobia që kanë nga vaksinimi.

“Këto raste i kemi të përditshme, dhe kjo vjen më shumë për shkak të fobisë nga injektimi i vaksinës. Bëjmë ekzaminimin fillestar dhe nëse ka nevojë iu japim edhe terapi”, deklaroi mjeku Haki Dragusha.

Deri më tani në Kosovë janë administruar mbi 1 milionë doza të vaksinës, derisa rreth 440 mijë qytetarë kanë marrë dy doza të vaksinës.

Related Articles