Njohësi i çështjeve politike, Arton Muhaxheri, për “Enigmën” thotë se ajo çka u pa nga listat me kandidatët për deputet, tregon se partitë politike, në thelb, nuk kanë bërë ndryshime serioze krahasuar me zgjedhjet e shkurtit.
“Përveç disa lëvizjeve kozmetike, listat mbeten pothuajse të njëjtat. Interesante është se partitë që kanë qenë në opozitë, së paku në paraqitjen publike, duken më të organizuara dhe me përbërje më konkurruese sesa lista e koalicionit VV–Alternativa–Guxo–PSHDK, e cila nuk po jep sinjale të ndonjë risi domethënëse”.
Megjithatë, sipas Muhaxherit, çështja kyçe mbetet se çfarë do të ndodhë pas ditës së zgjedhjeve.
“Kosova nuk ka nevojë për një rund të ri bllokadash, pazareve të pafundme apo luftërave mes institucioneve. Vendit i duhet një proces i qartë, një rezultat i pranuar dhe një qeveri që formohet pa u zvarritur me muaj. Çdo gjë tjetër vetëm e dëmton stabilitetin politik dhe ekonomik”, deklaroi ai për Gazetën Enigma.
