Ministria e Bujqësisë ka bërë të ditur se janë marrë masa të reja për të adresuar shtrembërimet në tregun e qumështit, përfshirë pezullimin e përkohshëm të përdorimit të vajit të palmës dhe qumështit pluhur në procesin e prodhimit.
Sipas njoftimit, vendimi vjen pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve lidhur me akcizën mbi qumështin pluhur, ndërsa në ditët në vijim pritet të publikohen edhe dy vendime të tjera të rëndësishme për sektorin.
Nga ministria theksohet se qëllimi i këtyre masave është krijimi i një sistemi të ndarë prodhimi, duke ndaluar përzierjen e përbërësve me origjinë të ndryshme kimike në të njëjtin proces.
Po ashtu, institucionet e përpunimit të qumështit do të obligohen të pajisen me licenca të reja të posaçme për përpunimin e produkteve, pasi licencat ekzistuese nuk do të jenë më të mjaftueshme.
“Praktikisht pezullohet përdorimi i vajit të palmës dhe qumështit pluhur deri në rregullimin e sistemit”, u shpreh Muja.
