Është koha e drekës, por Vesel Isufi qysh në orën gjashtë të mëngjesit nga Ferizaj është nisur për të ardhur në Prishtinë, në Klinikën e Onkologjisë.
Ky thotë se pa 100 euro as nuk mund ta marr këtë rrugë çdo 3 javë për gruan e tij e cila trajtohet nga kanceri në zorrën e trashë.
Këtë të premte mbi 60 euro shpenzoi vetëm për blerjen e terapisë, Oxliplatinën.
Me kushtet ekonomike që ka thotë se është tejet e vështirë t’ia del me këtë sëmundje e cila ka kosto të madhe të trajtimit.
Kjo nuk është mungesa e vetme. Edhe pacientët me tumor në tru duhet të sigurojnë vetë tabletat ku tri pako 140 mg që shpenzohen për 10 ditë sipas familjarëve kushtojnë 280 euro.
E Shoqata për të Drejtat e Pacientëve thotë se këtyre të fundit po iu shkelet e drejta dyfish, teksa bëhet thirrje nga PRAK që pacientët që blejnë ilace esenciale të shtrenjta ti padisin institucionet gjegjëse, raporton klankosova.
Së fundmi qeveria i ka ndarë 3 milionë euro për SHSKUK-në, për tre mujorin e fundit të këtij viti për barnat esenciale.
Drejtuesja e SHSKUK-së, Pranvera Zejnullahu ka deklaruar se kanë nisur liferimet e barnave.
Megjithatë, televizioni mëson se disa urdhër-blerje për furnizuesit janë lëshuar të pjesshme për vetëm një muaj.
Ndër to një imuno-terapi me kosto mbi 5 mijë euro, ku në vend të 26 ampulave janë kërkuar vetëm 20, pastaj edhe disa terapi tjera onkologjike që mungojnë tash e një kohë.
Urdhër blerje e plotë për këtë periudhë kohore është lëshuar vetëm për antibiotikun Cefazollin.