Mungesa e investimeve në stadiumet e futbollit vlerësohet se po e ngadalëson zhvillimin e këtij sporti në Kosovë.
Derisa klubet e Superligës po tregohen të suksesshme edhe në arenën ndërkombëtare, shteti nuk po arrin që t’i mbështesë ato me infrastrukturë e nevojshme.
Drita, Gjilani, Malisheva, Prishtina dhe Fushë Kosova, janë skuadrat që e kanë nisur edicionin e ri garues në pamundësi për t’i zhvilluar ndeshjet në stadiumet e tyre, pikërisht për shkak se ato nuk i plotësojnë kushtet për lojë.
Analisti Arsim Plepolli thotë për KosovaPress, se shteti ka dështuar totalisht në këtë aspekt dhe se është mëkat mosmbështetja e sportit nga ana e shtetit deri në këtë pikë.
“Shteti është problemi numër një. Asgjë nuk ka bërë për sport shteti. Është e pakuptueshme t’i thuash dikujt që nuk ka bërë asgjë shteti. Ne nuk e kemi në fushë ku mund të zhvillohen garat evropiane, çfarë duhet të diskutohet më shumë. Shteti mund të bëjë çfarë të dojë, të mos mundet Kombëtarja e Kosovës të luajë, të mos e ketë një stadium, çfarë duhet të flitet më shumë për këtë shtet. Nuk i japin nga xhepi, i japin nga taksat tona, taksat e popullit. Nuk ka person që jeton në Kosovë që nuk e jep një euro për ta ndërtuar një stadium, jam i bindur, minimalisht po them…Shteti duhet të bëjë gjithçka, thonë nuk kemi hapësirë, hapësirë ka ku të duash, është shteti yt, ku të duash ke hapësirë ta ndërtosh një stadium…Është mëkat se si ky shtet nuk iu rri gati sportistëve, se si nuk i përkrah sportistët”, tha Plepolli.
Vetëm stadiumi “Fadil Vokrri”, posedon licencën e UEFA-së për zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtare, dhe kjo sipas analistit Alban Lumi, është e pakuptueshme. Ai për KosovaPress, thotë se shteti duhet të ndërhyjë urgjentisht në zhvillimin e infrastrukturës sportive në vend.
“Kjo nuk do mend që duhet vet shteti të shikojë, nëse skuadra po organizohen, po kemi suksese në garat evropiane me këtë kapacitet që e kemi dhe të ndalemi vetëm tek një stadium “Fadil Vokrri” i cili e ka të pamundur të pres të gjitha këto ndeshje, si të Kombëtares, po ashtu edhe të gjitha ekipet kosovare që marrin pjesë në arenën ndërkombëtare, atëherë po besoj që duhet me doemos urgjent të shikojmë të përgatisim stadiume, jo vetëm për Kosovë, por të kategorisë së katërt…Andaj besoj që shteti më në fund do ta ketë primare ndërtimin e infrastrukturës.”, theksoi Lumi.
Sipas trajnerit të futbollit, Kastriot Rexha, Kosova ka mbetur shumë prapa në këtë aspekt. Ai thotë se drejtuesit e komunave kanë lënë pas dore investimet në stadiume duke mos investuar asgjë në vitet e fundit.
“Ne realisht kemi mbetur shumë prapa duke marr parasysh një stadium i Gjilanit i cili është ndër vite duke u përfolur pasi ka filluar puna dhe thuajse ka mbetur si një rrënojë është me ë vërtetë mëkat për ato dy klube të cilat në këtë vit na përfaqësuan në garat ndërkombëtare. Gjithashtu edhe stadiumet tjera të cilat janë në pronësi të komunës dhe nuk është investuar asgjë në këto vitet e fundit është një mëkat i madh, sidomos për ata komunarë gjithashtu edhe për ata banorë dhe ato klube të cilat e përfaqësojnë atë komunë.”, thotë Rexha.
Ndryshe, ditë më parë Zyra Kombëtare e Auditimit ka vënë në pah se realizimi i projekteve të stadiumeve në Kosovë, po përcillet me vonesa disavjeçare, kosto shtesë, si dhe cenim të transparencës dhe konkurrencës në proceset e prokurimit.