Klinika e Onkologjisë përveç me mungesë ilaçesh po përballet edhe me mungesë të theksuar të stafit shëndetësor.
Pavarësisht se numri i pacientëve të prekur nga kanceri është në rritje e sipër, stafi ende nuk është shtuar.
Ndaj, një deri në tri infermiere janë në shërbim të rreth 50 pacientëve në sallën e kimioterapisë.
Derisa frekuentimi i të sëmurëve në Klinikën e Onkologjisë në baza ditore është 150-200, përfshirë edhe 487 raste të reja të evidentuara në katërmujorin e parë të 2022-ës.
Sipas drejtuesit të kësaj klinike, Ardian Millakut janë të nevojshëm 10-15 infermierë në nivel të kimioterapisë dhe 10 teknikë të radioterapisë.
Ndërkaq, aktualisht mungojnë disa lloje të citostatikëve dhe terapia hormonale.
Si shkak i kësaj Millaku shton se disa pacientë edhe e shtyjnë trajtimin ngase nuk arrijnë t’i sigurojnë vetë. Ndaj për këtë thekson se Onkologjia duhet të trajtohet me prioritet.
Nga shërbimi farmaceutik i SHSKUK thonë se mungesat e disa citostatikeve janë për shkak se disa lëndë janë duke u trajtuar në OSHP, dhe disa artikuj mungojnë edhe për shkak te vonesave në liferim nga ana e operatoreve ekonomikë.