Për shkak të mungesës së drejtorit të Klinikës Emergjente në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), Basri Lenjani, është shtyrë seanca fillestare e paraparë për të premten, në rastin ku ai akuzohet për mosraportim apo raportim të rremë të pasurisë.
Mungesën e Lenjanit, avokatja e tij Ardita Morina e arsyetoi lidhur me punën e tij si mjek dhe periudhën e pandemisë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në këto rrethana, gjykatësja Sulltane Hoti konstatoi se nuk ka kushte ligjore për mbajtjen e shqyrtimit fillestar, të cilin e shtyu në kohë të pacaktuar.
Ndryshe, prezent në seancë ishte edhe prokurori Bekim Kodraliu.
Aktakuza e përpiluar në qershor të këtij viti nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, ngarkon Basri Lenjanin se në cilësinë e zyrtarit të lartë publik nuk e ka deklaruar saktë pasurinë për vitin raportues 1 janar deri me 31 dhjetor 2019, në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK).
Aty thuhet se i njëjti nuk e ka deklaruar biznesin e bashkëshortes së tij, Fatime Lenjani, me emrin “OS ORAL DENT”
Gjithnjë sipas aktakuzës, Lenjani po ashtu nuk ka deklaruar edhe të hyrat vjetore në shumën prej 5 mijë e 125 euro e 55 centë, ku 2 mijë e 763 euro e 13 centë i ka pranuar në cilësinë e zyrtarit të lartë publik nga SHSKUK, ndërsa shumën prej 2 mijë e 441 euro e 10 centë i ka pranuar nga Kolegji Privat i Shkencave Mjekësore “Rezonanca” në cilësinë e profesorit të asociuar .
Për këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Mos raportimi apo raportimi i rremë i pasurisë, i dhuratave, i dobisë tjetër material ose i detyrimeve financiare” nga neni 430, paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet.