Mungon sërish babai i Naim Murselit, vazhdon seanca

Mungon sërish babai i Naim Murselit, vazhdon seanca

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin ndaj Naim Murselit, Kushtrim Kokallës dhe Granit Plavës, të hënën mungoi dëshmitari Shaban Murseli, babai i të akuzuarit Naim. Gjykata mori vendim të lexohet deklarata e tij e dhënë në Polici.

Naim Murseli, Granit Plava, Kushtrim Kokalla dhe Tom Dodaj, ngarkohen për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt më 29 nëntor 2023, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësja Fatime Dermaku tha se mungon Shaban Murseli, për të cilin Gjykata ka lëshuar urdhëresë për verifikim adrese dhe dorëzim ftese.

Ajo tha se sipas nipit të Murselit, ai jeton në Suedi. Dhe se Shaban Murseli të premten e ka njoftuar gjykatën se nuk mund të jetë i pranishëm në këtë seancë.

Prokurorja Javorka Perlinçeviq tha se meqenëse dëshmitari Murseli ka dhënë deklaratë në procedurën paraprake më 6 dhjetor 2023, dhe se tani nuk është i qasshëm për organet e gjyqësisë dhe se e ka njoftuar që nuk mund të jetë i pranishëm në seancë, propozoi që deklarata e tij e dhënë në Polici të lexohet si provë me qëllim të ekonomizimit dhe racionalitetit të kësaj procedure penale.

Avokati i palës së dëmtuar, Leotrim Syla dhe mbrojtësja e Naim Murselit, Teuta Zhinipotoku e përkrahën mendimin e prokurorit.

Edhe i akuzuari Murseli u pajtua me propozimin, me qëllim që të mos zvarritet procedura.

Po ashtu edhe i akuzuari Granit Plava dhe avokati i tij Skender Gojani, u pajtuan të lexohet deklarata e Murselit.

Related Articles