Ismet Munishi është plotësisht i gatshëm dhe maksimalisht i motivuar për aventurën e tij të re. Në sezonin 2022/23 të Superligës së Kosovës, Munishi do të jetë në krye të klubit më të madh kosovar, Prishtinën.
Ai të enjten mbrëma ka arritur marrëveshje me Prishtinën, kurse një ditë më vonë, të premten, ka shpalosur synimet e tij me klubin kryeqytetas. Në një intervistë për KOHËN, Munishi haptazi ka treguar për ambiciet që i ka me Prishtinën në sezonin e ri, i cili nis më 13 gusht. Ai ka paralajmëruar se Prishtina do të luftojë për titullin e kampionit edhe pse ka pranuar se nuk do të jetë lehtë, duke pasur parasysh konkurrencën e fortë nga skuadrat e tjera. Megjithatë, ka insistuar se së bashku me tifogrupin “Plisat” prej të cilit pret përkrahje të madhe do t’ia dalin mbanë.
“Është normale që nuk i fsheh ambiciet e mia që i kam me Prishtinën. Do të luftojmë për titullin e kampionit edhe pse nuk do të jetë lehtë për shkak se konkurrenca do të jetë shumë e fortë. Por, Prishtina historikisht është ekip që gjithmonë lufton për titull dhe trofe”, është shprehur Munishi. “Në këtë rrugëtim e pres përkrahjen e madhe të tifozëve tanë ‘Plisave’, si dhe të gjithë qytetit të Prishtinës”.
Edhe pse ka punuar si trajner në shumë skuadra kosovare, Munishi pranon se Prishtina do të jetë kulmi i karrierës së tij në këtë zeje, të cilin e nisi para gati një dekade. Munishi ka qenë në krye të Vushtrrisë, ekip me të cilin ka një titull kampioni të Kosovës, pastaj ka drejtuar edhe Dritën, Vëllaznimin, Feronikelin, Besën, Ballkanin e Gjilanin. Te Prishtina do të jetë një moto për sezonin e ri, të cilën e ka zbuluar vetë Munishi. Ai ka thënë se motoja është se “nëse nuk ke zemër, ik prej Prishtinës”.
“Unë pres që Prishtina me qenë kulminacioni i karrierës sime. Moto e jona do të jetë ‘nëse nuk ke zemër, ik prej Prishtinës! Na duhen lojtarë që i mbrojnë ngjyrat e klubit me zemër dhe që luftojnë në fushë për këtë fanellë”, është shprehur Munishi. “Vetëm kështu do t’i kthehet nami i dikurshëm Prishtinës”.
Me gjithë ofertat nga skuadrat e tjera, emrat e të cilave nuk i ka zbuluar, Munishi thotë se ka zgjedhur Prishtinën për një arsye të vetme. Insiston se ka dashur të jetë pjesë e një revolucioni, i cili do të fillojë me sezonin e ri, së bashku me gjithë të tjerët në klub, pa anashkaluar për asnjë moment as tifozët. Madje, për Prishtinën ka sakrifikuar shumë edhe në aspektin financiar.
“Unë karrierën e kam filluar te Prishtina edhe pse te Flamurtari kam luajtur më shumë dhe kam bërë emër si lojtar. Dihet pse e kam zgjedhur Prishtinën, është klub i madh. Edhe financiarisht kam sakrifikuar shumë, sepse thjesht kam dashur të vija në krye të ekipit dhe të jem pjesë e një revolucioni”, ka shtuar Munishi. “Do ta përdor përvojën time, pasi i njoh mirë rrethanat në futbollin tonë dhe besoj se do t’ia dalim mbanë”.
Skuadra e Prishtinës nuk arriti ta mbronte titullin e kampionit në sezonin e fundit, duke përfunduar në pozitën e pestë në tabelë me 51 pikë të mbledhura, 25 më pak se Ballkani që triumfoi. Po ashtu, mbeti edhe jashtë garave evropiane për sezonin 2022/23 për herë të parë. Prishtina përgjatë sezonit të fundit është përballur me telashe të mëdha financiare dhe është në krizë. Megjithatë, Munishi ka paralajmëruar se po vijnë ditë të mira për Prishtinën. Sipas tij, Prishtina do të jetë një klub tejet i organizuar në çdo aspekt.
“Është e vërtetë që klubi nuk ka pasur gjendje të mirë financiare dhe ka pasur telashe. Mirëpo, edhe në klubet e tjera ku kam shkuar ka pasur probleme. Besoj se do t’i zgjidhim problemet dhe në sezonin e ri lirisht mund të them se klubi do të qëndrojë shumë stabil”, është shprehur Munishi. “Kemi me qenë klub shumë i organizuar, në të gjitha aspektet. Kam marrë përgjegjësi më tepër këtë herë dhe për këtë kam biseduar dhe jemi dakorduar me drejtuesit e klubit”.