Gjatë qëndrimit në Armeni ku po merr pjesë në takimet vjetore të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, ministri i Financave Hekuran Murati u prit sot në takim nga homologu nga Armenia, Vahe Hovhannisyan.
Dy ministrat diskutuan për mundësitë e bashkëpunimit ekonomik dhe thellimin e raporteve marrë parasysh ngjashmëritë mes të dyja vendeve. U diskutua edhe për mundësinë e organizimit të vizitave të ndërsjella të delegacioneve biznesore.
Siç bëhet e ditur në një njoftim nga zyra për media e Muratit, ai në takim falënderoi Hovhannisyan për mbështetjen e ofruar nga Armenia në procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
Në përfundim të takimit, palët u dakorduan për thellim të bashkëpunimit në procesin e reformave përmes shkëmbimit të njohurive dhe praktikave më të mira të të dyja vendeve.