Ministri i Financave, Hekuran Murati, i ka reaguar ashpër kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, pasi që ky i fundit sot akuzoi Qeverinë se nuk po e mbështet për projektet madhore të kryeqytetit.
Ministri Murati publikoi një grafikon që paraqet mbështetjen buxhetore që Qeveria i ka dhënë Komunës së Prishtinës nëpër vite.
“Siç edhe mund të shihet, ka rritje të theksuar të mbështetjes me buxhet nga Qeveria në tri vitet e fundit. Por ç’e do këtë rritje kur Komuna e Prishtinës në vazhdimësi e mbyll vitin me suficit, sepse nuk arrin të implementojë buxhetin që vet e harton. Në vitin që sapo lamë pas, suficiti (buxheti i pashpenzuar) i Komunës së Prishtinës rezulton mbi 33 milionë euro. Po kaq, 33 milionë euro, është buxheti i Komunës së Podujevës. Pra imagjinoni se sa punë arrin të bëjë Komuna e Podujevës me këtë buxhet, kaq pra i tepron Komunës së Prishtinës e qytetarëve të Prishtinës u mohohen ato projekte për shkak të mos-realizimit”, shkroi Murati në një postim në Facebook.
“Andaj, Kryetari i Komunës Rama, në vend se të kërkojë fajtorin gjetiu, bën mirë që të përqëndrohet në kryerjen e punëve për të cilat u ka premtuar qytetarëve”, u shpreh tutje Murati.