Murati kritikon Komunën e Prishtinës: Tenderi 16.5 milionësh për mbeturina, abuzim flagrant

Murati kritikon Komunën e Prishtinës: Tenderi 16.5 milionësh për mbeturina, abuzim flagrant

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar ashpër ndaj një vendimi të Komunës së Prishtinës, e cila, sipas tij, ka shpallur një tender në vlerë prej 16.5 milionë eurosh për t’ia dhënë një kompanie private shërbimin e grumbullimit të mbeturinave.

Përmes një postimi në Facebook, Murati ka kritikuar kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, duke theksuar se ky tender është i panevojshëm, pasi shërbimi në fjalë tashmë ofrohet nga një ndërmarrje publike.

“Pra, diçka që mund të kryhet nga Ndërmarrja Publike me pak më shumë bashkëpunim e koordinim, po tentohet t’i jepet një kompanie private, për 16.5 milionë euro. Ky është abuzim flagrant i parave të taksapaguesve, sepse po shpenzohet për një shërbim i cili tashmë ofrohet nga një ndërmarrje publike. Për më tepër, kjo nënkupton edhe falimentimin e ndërmarrjes publike dhe largimin nga puna të qindra punëtorëve”, ka shkruar ai.

Murati ka ngritur edhe çështjen e përgjegjësisë ligjore, duke pyetur publikisht për veprimin e organeve të drejtësisë.

“Ku është prokuroria për këtë rast?”, ka pyetur ministri në detyrë.

Related Articles