Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, priti sot në takim ambasadorin e ri të Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Hargreaves, duke i uruar mirëseardhje dhe përgëzuar atë për misionin e ri diplomatik.
Në njoftimin e MFPT-së thuhet se Murati prezantoi disa nga prioritetet qeverisëse dhe masat e ndërmarra nga MFPT në realizimin e këtyre objektivave.
Ndër të tjera, u përmendën masat për punësimin e të rinjve, të grave dhe grupeve të cënueshme të shoqërisë, si dhe politikat për luftimin e ekonomisë jo-formale dhe korrupsionit.
Nga ana e tij, Hargreaves përgëzoi ministrin për punën e bërë deri më tani veçanërisht në arritjen e stabilitetit fiskal dhe menaxhimin e financave publike.
Diskutimi vazhdoi me shqyrtimin e mundësive për bashkëpunim ekonomik, përfshirë investimet në infrastrukturë dhe organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030.
Të dyja palët theksuan marrëdhëniet e shkëlqyeshme të Kosovës me Mbretërinë e Bashkuar duke potencuar vullnetin dhe gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit në të ardhmen.