Sulmuesi kosovar, Vedat Muriqi, ka njoftuar vazhdimin e kontratës me klubin e Mallorcas deri në verën e vitit 2029. Tifozët ishin të mendimit se ky rinovim mund të sillte një rritje të pagës për 31-vjeçarin, por Muriqi ka sqaruar në një intervistë për “Cadena Ser” se paga e tij do të mbetet e njëjtë si vitin e kaluar.
Muriqi, që do të jetë futbollisti më i paguar i skuadrës me katër milionë euro në vit, ka shpjeguar se ai nuk është i fokusuar te paratë.
“Ajo që i intereson njerëzve është që me rinovimin unë do të fitoj njësoj si vitin e kaluar, por për një periudhë më të gjatë kohore. Unë nuk jam një nga ata që mendojnë për paratë. Agjenti im më telefonoi për të më treguar për ofertat dhe e pyeta vajzën time nëse donte të largohej nga Mallorca dhe ajo tha jo,”, tha Muriqi.
Muriqi u transferua në Mallorca nga Lazio në vitin 2022 për tetë milionë euro. Gjatë kohës së tij te klubi spanjoll, ai ka zhvilluar 118 ndeshje, ka shënuar 35 gola dhe ka dhënë 11 asistime.