Profesori universitar, Valon Myrtezaj, ka thënë se porosia e presidentit francez, Emmanuel Macron, gjatë ditës së djeshme lidhur me situatën në veri të Kosovës ishte për të dyja palët si Prishtinën dhe Beogradin.
Në Info Magazine të Klan Kosovës, ai ka deklaruar se fjala paqe është theksuar më së shumti në fjalimin e Macronit.
“Palët duhet të jenë të përgjegjshme ky është ai sllogani kryesor, fjalët kyçe dhe se ne shpresojmë se paqja do të kthehet. Shpesh herë nga palë të ndryshme konsiderohet vetëm si mungesë e luftës, pra një lloj armëpushimi që në konceptin evropian nuk është një gjë e tillë. Sepse paqja duhet ta ketë konceptin dhe të kuptuarit e dimensionit zhvillimor, prandaj e thekson në këtë fjalim këtë fjalë”, ka thënë Myrtezaj.
Myrtezaj ka theksuar se nuk beson se fjalimi i Macronit duhet të paraqet një kërcënim për pezullimin apo ndërprerjen e liberalizimit të vizave për Kosovën, tani për tani.
Por, shtoi se Qeveria e Kosovës duhet të ndërmarrë hapa më të shpejtë në depërshkallëzimin e plotë të situatës në veri.
“Sot për sot nga mënyra se si është deklaruar Macron në atë takim mund të nxjerret që konkluzion që palët të jenë të përgjegjshme. Nuk mund sot të nxjerrim konkluzionin se është ndonjë lloj kërcënimi apo ndonjë lloj presioni sa i përket heqjes së lirisë së vizave”.
“Prandaj është herët të themi, unë nuk dua as të mendoj shumë thellë me shqetësim lidhur me atë. Qeveria e Kosovës është dakorduar për hapat që duhet t’i bëjë, ajo çfarë duhet të bëjë tani qeveria që ata hapa t’i bëjë sa më shpejtë”.