Mushkolaj: Vendimi i Listës Serbe, karta e fundit e Vuçiqit

Mushkolaj: Vendimi i Listës Serbe, karta e fundit e Vuçiqit

“Kjo është karta e fundit e Vuçiqit në përpjekje për të manipuluar me situatën në veri të vendit”.

Kështu është shprehur analisti, Imer Mushkolaj për Portalin Dukagjini pas vendimit të Listës Serbe për bojkotimin e institucioneve të Kosovës.

Në takimin e mbajtur në Zveçan, Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq dhe katër kryetarët e komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, kanë vendosur për bojkotimin e institucioneve të Kosovës. Sipas Mushkolaj, një situatë e tillë paraqet një sfidë për institucionet e vendit.

“Kjo është karta e fundit e Vuçiqit në përpjekje për të manipuluar me situatën në veri të vendit. Por, po ashtu, është një sfidë për institucionet e Kosovës se si t’i japin zgjidhje situatës së krijuar, duke pasur parasysh gjendjen e brishtë të sigurisë”, ka deklaruar Mushkolaj.

Përveç zyrtarëve policorë, punonjësve të gjykatave dhe institucioneve të tjera, dorëheqje kanë dhënë edhe kryetarët e komunave veriore dhe Goran Rakiq, nga pozita e ministrit për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës.

Përveç kësaj, zyrtarë të Policisë së Kosovës janë parë duke zhveshur uniformat e policisë.

Related Articles