Musliu kërkoi që Listës Serbe mos t’i lejohet hyrja në Kuvend, partitë shqiptare nuk e përkrahin idenë e saj

Musliu kërkoi që Listës Serbe mos t’i lejohet hyrja në Kuvend, partitë shqiptare nuk e përkrahin idenë e saj

Pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, pati reagime të ndryshme pasi në krye të këtij sulmi ishte nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, pas kësaj e pati një propozim për të gjithë kolegët e saj, shkruan Lajmi.net.

Ajo propozoi që tu ndalohet hyrja në Kuvendin e Kosovës deputetëve të Listës Serbë, e kjo të bëhet edhe fizikisht nga vet deputetët.

Lajmi.net ka shkuar sot në Kuvend për t’i pyetur deputetët se a do ta mbështesin atë në këtë ide.

Deputeti Anton Quni u  shpreh se duhen veprime institucionale e jo populiste. Ai ka kërkuar nga organet e drejtësisë së Kosovës që hetohet partia Lista Serbe, pasi sipas veprimet terroriste të Radoiçiqit në Banjsë është mbështetur edhe nga kjo parti.

“Unë konsideroj se të gjithë ato organizata, shërbime, të cilat e kanë mbështetë aktin e kryekriminelit, Radoiçiq, do të duhet të trajtohen nga organet tona të drejtësisë, në mesin e tyre është edhe partia Lista Serbe, edhe kjo do të duhej t’i nënshtrohej organeve tona të drejtësisë, unë më shumë i përkrahi veprimet institucionale sesa ato populiste”, u shpreh ai.

Deputeti i VV-së, Artan Abrashi, tha se duhet të vazhdojnë hetimet për rastin në Banjskë e jo të ketë skena në Kuvendin e Kosovës

“Ide interesante, nuk kam koment, unë jam për me u vazhdu hetimi, prej institucioneve përgjegjëse,  me u marr vendimi, pastaj nuk ka nevoj për kësi lloj skenash”, tha ai për Lajmi.net.

Deputeti tjetër i Grupit të VV-së, Haxhi Avdyli, e akuzoi Musliun dhe deputetët e tjerë të partive opozitare për bashkëpunim me listën serbe dhe tha se ata duhet të përgjigjen për këtë.

Ndërsa tha se kërkesa e deputetët Musliu është farz për të fshehur bashkëpunimin e PDK-së me Listën Serbe.

“Ganimete Musliu njihet shumë mirë edhe raportet e tyre me Listën Serbe janë edhe më të afërta edhe se me vet deputetët shqiptarë, përmes përqafimeve që i kanë pasë dhe mendoj se kjo iniciativë e deputetes Musliu që ka ardhë është vetëm një farz dhe bashkëpunim për ta fshehur bashkëpunimin e tyre që e kanë pasur në të kaluarën”, u shpreh ai.

Duket se Musliu në kërkesën e saj, nuk përkrahet as nga deputetët e partisë së saj, pasi Xhavit Haliti, tha se nuk duhen të ndermirën këso veprimesh dhe duhet pasur kujdes që Kosova të ketë politika të pranueshme për të gjithë qytetarët pa dallim.

“Lista Serbe I ka fituar zgjedhjet dhe sipas Kushtetutës I ka të drejtat e barabarta me të gjitha partitë, askush nuk mundet me ja zanë rrugën dhe mos  me lan me hy në Parlament, munden me bë protesta, por ajo që për Kosovën që është me rëndësi është, që Kuvendi, Qeveria me pas politika të pranueshme për qytetarët e Kosovës”, tha Haliti.

Edhe Arben Gashi, deputet i LDK-së, nuk e mbështetë një veprim të tillë. Ai i tha Lajmi.net se nuk duhet të ndermirën veprime individuale por duhet që veprimet e mëtejme ndaj Listës Serbe tu lihen organeve të drejtësisë.

“Kjo nuk është çështje e veprimeve individuale apo të grupeve të deputetëve ato janë çështje të organeve të drejtësisë. Nëse ata kërkojnë që ne me ua heq imunitetin, ne ua heqim”

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, në një prononcim për Lajmi.net e ka elaboruar kërkesën e saj ndaj deputetëve të Kuvendit, për moslejimin e Listës Serbe që të futet në Kuvend.

Ajo ka thënë se nëse nuk ka hapa ligjor ndaj Listës Serbe, duhet që vet deputetët të ua pamundësojnë atyre shkuarjen në Kuvend.

“Përderisa Lista Serbe, nuk distancohet nga aktet terroriste dhe i përkrahë aktet terroriste që ndodhën me 24 shtator unë mendoj që nëse jo me masa tjera ligjorë, ne si deputet duhet të tregohemi më të dinjitetshëm të organizohemi të bashkohemi dhe mos t’i lejomë të futen në seancë. Nuk ka më asnjë kuptim që këta deputet që me taksat e popullit të Kosovës të vazhdojnë të paguhen dhe të investojnë në krim të organizuar e në agression e terrorizëm”, ka thënnë ajo për Lajmi.net.

Musliu u ka bërë thirrje të gjitha partive e veçanërisht deputetëve të VV-së, që ta mbështesin iniciativën e saj, pasi kanë “përvojë” nga e kaluara  sa ishin opozitë.

“Në të kaluarën neve na janë bllokuar dyert e Kuvendit, VV-ja shpeshherë na I ka bllokuar dyert e Kuvendit dhe ka tentuar të na pamundësoj hyrjen në në Kuvend, dhe mendoj që ne sot bashkë me VV-në dhe të gjithë si deputetë që jemi bashkë t’ia pamundësojmë Listës Serbe që të futet në Kuvend”, ka thënë ajo.

Kujtojmë se në krye të sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, ishe nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq. 

Related Articles