Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu sonte në “Edicionin Special” ka komentuar deklaratën e deputetit të grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Fatos Geci, i cili uroi dënim me burgim të përjetshëm për ish-kreun e PDK-së.
Musliu tha se një deklaratë e tillë do të duhej të pasohej me masa më të rrepta ndaj deputetit, përfshirë përjashtimin nga seanca dhe ndërprerjen e menjëhershme të fjalës.
“Në rrethana normale dhe një shtet normal, demokratik, do të duhej të bëhej edhe më e madhe, deputeti do të duhej të përjashtohej nga seanca, do të duhej t’i ndërpritej fjala, fatkeqësisht fjala nuk iu ndërpre, atë ditë iu tërhjek vërejtja dhe deputeti e ndërpreu vet fjalën, normal me presionin dhe zhurmën tonë pastaj në Kuvend, por znj.Haxhiu nuk ia ndërpreu fjalën deputetit në fjalë”, tha ajo.
Musliu u shpreh se një gjuhë e tillë nuk guxon të bëhet standard dhe normë në vendin tonë.
“Gjuha e tillë nuk guxon të bëhet standard në Kosovë, nuk guxon të bëhet normë në Kosovë, kështuqë pa dashur t’i jap shumë vëmendje atij aktij të shëmtuar, për mua është e papranueshme dhe e dënueshme ajo gjë”.
“Një njeri që ka dy fije mend, një njeri që ka gjak shqiptari, një njeri që mendon shqip, një njeri i cili e doD këtë vend, nuk bën gjëra të tilla dhe nuk besoj që dikush e merr guximin ta përsëris atë deklaratë edhe njëherë”, u shpreh ajo.
Deputetja e PDK-së gjithashtu komentoi edhe deklaratën seksiste të deputetit Geci.
“Fati i mirë është që ende kemi edhe pak demokraci dhe e mira është që mediat e nxorën në pah deklaratën seksiste, por deklarimi i znj.Haxhiu ishte i vonë, sepse znj.Haxhiu qysh në minutat e parë e ka pasur të qartë se çka është folur atë ditë”, u shpreh Musliu.
