Deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka thënë se vërshimet që kanë ndodhur në qytetin e Skenderajt dhe shumë fshatra përrreth shkaktuan dëme shkatërruese.
Në mes situatës së jashtëzakonshme, mbetjeve dhe shkatërrimeve ajo që prek më së shumti zemrat e drenicasëve është mungesa e mbështetjes së shtetit dhe ekipeve emergjente, sidomos nëpër fshatrat e Drenicës, u shpreh Musliu me anë të një postimi në Facebook.
Madje ajo tha se drenicasit kanë të drejtë të pyesin se “A nuk po dijnë apo më të vërtetë janë të poshtër ata që mbajnë përgjegjësi për situata të tilla”.
Gjithashtu edhe ajo vet pyet se në këtë gjendje të rënduar të Skenderajt, ku është Qeveria, FSK-ja dhe Kryqi i Kuq.
Më tej, ajo tregoi se komuna e Skenderajt është duke u angazhuar maksimalisht me kapacitetet që ka por sipas saj, për të dalur nga kjo gjendje e rënduar, Drenicës i duhet dhe ndihma e institucioneve, ndihmë e cila sipas deputetes po mungon në këtë komunë.
Në fund Musliu falënderoi të gjithë ata njerëz të vullnetit të mirë që i dolën në krahë komunës së Skenderajt.
Postimi i plotë:
Përballë katastrofës natyrore, Drenica e braktisur nga shteti!
Vërshimet që ndodhën në qytetin e Skenderajt dhe shumë fshatra përrreth shkaktuan dëme shkatërruese. Pamjet të japin një ndjenjë të trishte.Qytetarët gjenden përballë ekzistencës së tyre të shkatërruar brenda pak orëve. E në gjithë këtë situatë të jashtëzakonshme në mes të mbetjeve dhe shkatërrimeve ajo që vërehet më së shumti dhe ajo që prek më së shumti zemrat e drenicasëve është mungesa e shtetit, mungesa e ekipeve emergjente, sidomos nëpër fshatra.
Me të drejtë këta qytetarë bëjnë pyetjen: A nuk po dijnë apo më të vërtetë janë të poshtër ata që mbajnë përgjegjësi për situata të tilla.
Me të drejtë pyes edhe unë: Ku është qeveria, FSK-ja, Kryqi i Kuq etj..
Komuna e Skenderajt është duke u angazhuar me të gjitha kapacitetet që ka, por për t’ia dalur i duhet ndihma nga institucionet shtetërore, ndihmë kjo e cila po mungon.
Për fund dua të falenderoj të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë që po bashkëndjejnë me ne dhe po na ndihmojnë me gjërat më të nevojshme.