Musliu: Skenderaj po përballet me një qasje të udhëhequr nga Albin Kurti, që Drenica e ka lënë pas nga viti 99

Musliu: Skenderaj po përballet me një qasje të udhëhequr nga Albin Kurti, që Drenica e ka lënë pas nga viti 99

Kandidatja për deputete nga radhët e PDK-së, Ganimete Musliu ka reaguar pas incidentit në Skenderaj, ku është përfshirë kreu i kësaj komune, Sami Lushtaku dhe kryetari i degës së Lëvizjes Vetëvendosje, Hysni Mehani.

Ajo ka thënë se është kundër të gjitha formave të dhunës.

Por, Musliu ka shtuar se prej vitesh disa individë dhe grupe nxisin vazhdimisht gjuhë urrejtjeje, me qëllimin e vetëm, sipas saj, për të degraduar vlerat, për të shkatërruar reputacionin e figurave publike dhe historike dhe për të nxitur përçarje e dhunë.

“Kohët e fundit po përballemi me fushata të organizuara linçimi, të drejtuara jo vetëm kundër atyre që mbajtën barrën e luftës, njerëzve më meritorë për lirinë dhe demokracinë e Kosovës, të cilët vazhdojnë të jenë të angazhuar në jetën publike të vendit, por edhe ndaj atyre që po qëndrojnë stoikë tash e gati gjashtë vite në mbrojtje të luftës së pastër të Ushtrisë Çlirimtare në Hagë, duke u bërë vazhdimisht shënjestër e sulmeve dhe fyerjeve nga më të ultat.”, ka shkruar Musliu.

Ajo ka thënë se dhuna fizike nuk shfaqet nga asgjëja.

Sipas saj, shpesh ajo është pasojë e dhunës sistematike verbale, e dehumanizimit të vazhdueshëm dhe e normalizimit të urrejtjes në diskursin publik.

“Skenderaj po përballet me një qasje të udhëhequr nga Albin Kurti, të cilën Drenica e kishte lënë pas që nga viti 1999. Kjo është fakt. Kryetari i Skenderajt, z. Sami Lushtaku, ishte, është dhe do të mbetet përherë çlirimtar. Ata që fyejnë, ata që akuzojnë dhe ata që përçajnë duhet ta kenë të qartë se çdo durim ka fund. Nëse dikush mendon se, duke e provokuar Drenicën dhe duke prekur plagët e saj shekullore, mund të shkaktojë një krizë të re në Kosovë, është duke gabuar.”, ka thënë Musliu.

Ajo ka shtuar se nëse dënohet dhuna, duhet të dënohet edhe çdo formë tjetër e saj, papërjashtim dhe pa selektivitet politik apo rajonal.

Related Articles