Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa, ka kritikuar Projektligjin për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore gjatë seancës në Kuvend, duke vënë në dyshim efektet e tij në uljen e çmimeve.
Ai tha se koha për shqyrtimin e projektligjit ka qenë e shkurtër, por se PDK do të japë vlerësimin e saj bazuar në atë që ka pasur mundësi të analizojë.
“Ndonëse është shumë kohë e shkurtër që të diskutojmë për këtë ligj që ndikon drejtpërdrejt në treg, ne do të japim vështrimin tonë për aq sa kemi mundur ta shohim projektligjin”, tha Mustafa.
Sipas tij, Qeveria ka arsyetuar vazhdimisht rritjen e çmimeve me mungesën e një ligji për çmimet tavan, ndërsa tani duhet të sqarojë qytetarët për efektet konkrete të këtij projektligji.
“Prej që ka filluar rritja e çmimeve në Kosovë, ju si qeveri jeni arsyetuar se në mungesë të ligjit për çmime tavan po rriten çmimet. Tani kur e keni sjellë në Kuvend këtë ligj është mirë t’i drejtoheni qytetarëve dhe t’i tregoni se a pritet rënie e çmimeve”, deklaroi ai.
Mustafa akuzoi Qeverinë se po e përdor këtë nismë ligjore për të mbuluar, sipas tij, mungesën e veprimeve konkrete në luftimin e inflacionit.
“Ju e keni përdorur këtë ligj vetëm për t’u kamufluar, për t’u fshehur pas mosveprimit tuaj për pengimin e inflacionit”, u shpreh ai.
Deputeti i PDK-së vuri në dukje edhe kufizimet e masës së marzhës tregtare, duke përmendur shembullin e çmimeve të derivateve.
“Ne e kemi parë sa efektiv keni qenë ju për të parandaluar rritjen e çmimeve duke vendosur kufij mbi marzhën tregtare. E keni bërë caktimin e marzhës tregtare për çmimin e naftës dhe e kemi parë që çmimi i naftës në Kosovë ka arritur në dy euro”, tha Mustafa.
Ai shtoi se kufizimi i marzhës nuk ka ndikim në rastet kur rriten çmimet e importit.
“Kur rriten çmimet e importit, kufizimi i marzhës nuk ka rol aty”, theksoi ai.
Në fund, Mustafa kritikoi edhe mënyrën e paraparë të funksionimit të bordit të pavarur, duke e cilësuar atë si jo realisht të pavarur.
“Çfarë bordi i pavarur, kur anëtarët zgjidhen nga Qeveria dhe Kuvendi e miraton. Kjo mendoj se nuk do ta mbrojë qytetarët. Ky ligj nuk e ka për synim të ulë çmimet, por t’i ofrojë Qeverisë ndikim të drejtpërdrejt në tregun në Kosovë”, përfundoi ai.
