Ish-kryeministri dhe ish-lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, në një intervistë ka folur për Qeverinë e Albin Kurtit gjatë vitit që sapo e lamë pas.
Isa Mustafa thotë se Qeveria u promovua si një qeveri e ndryshimeve, por që realisht nuk ndodhi të jetë e tillë, pasi akoma vuan nga paragjykimet e së kaluarës.
“Kjo qeveri u promovua si qeveri e ndryshimeve dhe aq më shumë si qeveri e shpresës, por ndryshimi pozitiv nuk ndodhi në asnjë fushë, kurse shpresa po vazhdon e pashuar, sidomos te militantët e saj. Është qeveri e cila nuk ka treguar aftësi dhe gjeturi të shikojë përpara dhe të merret me të ardhmen, por është bërë rob i së kaluarës, qoftë i qëndrimeve të saj rigjide politike, qoftë i paragjykimeve për qeverisjet e kaluara. Qeveri e logjikës represive, e cila mburret me të dhënat për arrestimet, në vend që të krenohej me të dhënat për përmirësimin e jetës së qytetarëve”, deklaroi Mustafa për “Zërin”.
Sipas Mustafës, gjatë vitit 2022 Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti më së shumti ka dështuar në bashkëpunimin me partnerët strategjikë, por edhe ka çaluar dhe është kthyer mbrapa në shëndetësi, arsim dhe ekonomi.
“Kësaj qeverie i kanë munguar prioritetet, nuk ka qenë e fokusuar në asnjë fushë, e cila do ta identifikonte kursin e saj qeverisës. Ka dështuar absolutisht në bashkëpunim me partnerët strategjikë dhe në punët e jashtme. Ka çaluar ose edhe është kthyer mbrapa në shëndetësi dhe në arsim. Inflacioni e ka menaxhuar Qeverinë e jo Qeveria inflacionin. Kanë rënë investimet publike, kurse vlera e mjeteve buxhetore është zhvlerësuat, duke mos u përdorur”, theksoi Mustafa.