Deputeti i LDK-së, Besian Mustafa, gjatë një konference për media, theksoi se partia e tij po shënon një prezencë rekord në tubimet e saj.
Ai krahasoi tubimet e LDK-së me ato të partisë në pushtet, duke theksuar se LDK-ja arrin të mblidhë më shumë përkrahës në një lagje, sesa VV-ja në të gjithë qytetin, shkruan Gazeta Enigma.
Çdo ditë që po kalon, më shumë njerëz po i bashkohen Lidhjes Demokratike të Kosovës. Kosova është e gatshme për ndryshim. Më shumë po ka përkrahës LDK-ja në një tubim në mahallë, sesa VV-ja në të gjithë qytetin. Entuziazmi për fitoren e madhe të LDK-së, edhe në fshatra po e tejkalon tubimet e pushtetit në kryeqendra. Ka prezencë në numra rekord, në çdo tubim të LDK-së, në çdo lagje, në çdo fshat e në çdo qytet të Kosovës”.
Mustafa shton se pushteti, tanimë ka humbur betejën, e qytetari i Kosovës po zgjedh LDK-në.
“Pushteti tanimë e ka humbur bejten. Po mundohen të duken kinse po punojnë këtë muaj të fundit gjatë fushatës, pa prekur punë me dorë në katër vjet mandat”, shtoi tutje Mustafa.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që të dalin ta votojnë LDK-në, e që vota e tyre ta sjell ndryshimin në Kosovë.
“Qytetarët e kanë të qartë, dhe e kanë vendosur se cila është adresa për të zhvilluar Kosovën në katër vitet e ardhshme. Partinë e vetme me vizion dhe program të qartë, Lidhjen Demokratike të Kosovës. Andaj ftoj të gjithë qytetarët të na bashkohen. Këto zgjedhje janë jetike, nëse i doni të mirën të ardhmes së Kosovës, nuk mund të qëndroni në shtëpi, nuk mund të qëndroni neutral, duhet të ngriheni e të votoni për ndryshim, të votoni LDK-në”, tha ai./GazetaEnigma/