Ish lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka reaguar për rritjen e çmimeve të energjisë, vajit, derivateve e produkteve të tjera.
Ai tha se qeveria duhet të gjejë zgjidhje pas ngritjes së këtyre çmimeve.
Mustafa tha se opozita nuk po e gjuan me shishe molotovi, granata, gurë, e gaz lotsjellës qeverinë aktuale.
Kështu sipas tij qeveria duhet që të tregojë lidership.
“Çmimin e energjisë, të vajit, të derivateve të naftës, e shumë tjera, nuk i ngritën qeveritë e kaluara. Kjo opozitë nuk po e gjuan Qeverinë me shishe molotovi, me granata, me bomba, gaz lotsjellës, gurë.. Përpos një partie parlamentare e njërës jashtë parlamentit, opozita tjetër s po ua prishë terezinë”.
“Qeveria s’ka arsye të vajtojë por duhet të ngjeshët dhe të tregojë lidership. Sepse, qeverisja në kohë të rëndomta ec vet, e në kohë të vështira tregon lidership. Dije, organizim, drejtim”, ka shkruar Mustafa në një postim në “Facebook”.
Më tutje, ai tha se nuk është rol i institucioneve të frikësojnë qytetarët që po sulmon Serbia, teksa shtoi se nuk është rol i qeverisë edukimi i presidentit rus Vladimir Putin.
“Nuk është roli i institucioneve të Kosovës, poashtu, të tmerrojë qytetarët çdo mëngjes se po na sulmon Serbia. Sepse, njerëzit shqetësohen, frikësohen; spekulantët i rrisin çmimet, kurse qentë e luftës kërkojnë hapësirë për të profituar. Në fund mbesin qytetarët që ju votuan, ata që e paguajnë çmimin e frustrimeve të pamenaxhueshme”, shkroi më tutje Mustafa. /Gazeta Enigma/.