Myftiu Tërnava mirëpret reisin e Bosnjës: Me lejen e Zotit, do t’ju vizitojmë shpejt

Myftiu Tërnava mirëpret reisin e Bosnjës: Me lejen e Zotit, do t’ju vizitojmë shpejt

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava, e ka pritur sot në takim reisin e Bashkësisë Islame të Bosnje dhe Hercegovinës, Husein ef. Kavazoviqin, i cili shoqërohej nga bashkëpunëtorët e tij.

Në njoftimin e lëshuar nga BIK-u thuhet se gjatë këtij takimi, të dy liderët fetarë shprehën gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme, me theks të veçantë në mbarëvajtjen e jetës fetare dhe në fushën e arsimit islam.

Sipas BIK-ut, Tërvana shprehu edhe gatishmërinë e tij që në një të ardhme ta vizitojë shtetin e Bosnjës.

“Me lejen e Zotit, do ta vizitojmë Bosnjën në të ardhmen e afërt dhe do të njihemi më afër me zhvillimet e përgjithshme që janë në Bosnjë. Sigurisht, ajo që na ka bashkuar dhe na bashkon është edhe numri i konsiderueshëm i shqiptarëve që jetojnë në Bosnjë, dhe një numër i madh i Boshnjakëve që jetojnë në Kosovë. Këto minoritete shërbejnë si ura lidhëse mes dy kombeve, mes dy shteteve, që duhet t’i respektojmë”, tha Tërnava.

Ndërkohë, reisi i Bosnjës, Husein ef. Kavazoviq, theksoi rëndësinë e lidhjeve fetare e kulturore mes dy vendeve.

“Ne besojmë se angazhimi ynë për ta ndërtuar këtë shtëpi së bashku në Ballkan është ajo që na obligon, pra t’i përkushtohemi qëllimeve të përbashkëta, dhe ky është gjithmonë qëllimi më i rëndësishëm për ne myslimanët, të bëjmë thirrje për të mirë dhe të largojmë nga ajo që është e keqe. Jemi veçanërisht të kënaqur me mikpritjen që na është bërë dhe me përkushtimin që kemi parë nga Myftiu Tërnava dhe bashkëpunëtorët e tij për ruajtjen e vlerave tona të përbashkëta islame”, tha reisi Kavazoviq.

Related Articles