“Na provokoi duke qeshur”/ Dy persona i zë sherri me sigurimin e KRK-së në Istog, përfundojnë në Polici

“Na provokoi duke qeshur”/ Dy persona i zë sherri me sigurimin e KRK-së në Istog, përfundojnë në Polici

Një sherr mes dy klientëve dhe punëtorit të sigurimit në institucionin mikrokreditor, Kreditimi Rural i Kosovës, në Istog, ka ndodhur gjatë ditës së sotme, për çka është dashur intervenimi i Policisë.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se 62-vjeçari ka raportuar në Polici se është sulmuar me thikë nga dy të dyshuarit. Sipas dëshmisë së tij, i biri më parë ka pasur probleme me njërin prej të dyshuarve, por kishin arritur që të pajtoheshin.

Pas denoncimit, njësitë policore kanë arritur që të arrestojnë të dyshuarit, të cilët gjatë intervistimit kanë pranuar para hetuesve se kanë shkuar me vetëdije në vendin ku punon viktima, por nuk e kanë sulmuar fizikisht.

Sipas tyre, thikën e kuzhinës që kishin me vete e kishin marrë me qëllim që ta frikësojnë dhe jo ta sulmojnë. Ata kanë deklaruar se e gjithë kjo ka ndodhur për shkak të një marrëveshjeje që kanë arritur më parë, për çka edhe kanë dashur t’i tërheqin vërejtjen viktimës. E aty ata thonë se viktima i ka provokuar duke u qeshur në prani të tyre.

Thika që dyshohet se kishin me vete është sekuestruar nga njësitë policore, teksa me urdhër të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje dhe do të hetohen nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Sulm’.

Related Articles