Pa investime në infrastrukture, pa mundësi për të ujitur dhe punuar tokat dhe pa ndihmë për të shitur prodhimet bujqësore, banorët e Vishoticës në Bashkinë e Devollit dikur bëheshin mbi njëmijë banorë, ndërsa sot në fshat kanë mbetur pak më shumë se 25 përqind e banorëve të dikurshëm.
“Këtu rrugët e fshatit zienin nga rinia, çupa dhe djem, tani ka vetëm moshë të tretë. Toka është e pa vaditur, treçereku. Mollët e perimet po hidhen në kanal. Kishim rreth 300 shtëpi, tani as 80”, thonë të moshuarit e mbetur. Edhe ata që nuk dorëzohen dhe përpiqen të punojnë tokat, ndihen të braktisur nga institucionet.
Të gjendur në një situatë të tillë prej tre dekadash, fshati pak nga pak është shpopulluar. Dhe tani që të moshuarit që pleqërojnë u luten fëmijëve të tyre, jo të kthehen por as mos ta mendojnë më vendlindjen e tyre.
Edhe pse me dhimbje shprehen se nuk kanë me kë të këmbejnë dy fjalë. “Fëmijët janë larguar dhe i kam thënë, lëreni shtëpinë dhe mos u ktheni i kam thënë, të vjen për të qarë po të ecësh nëpër fshat, llafoset njerëzia me vete”, thotë për A2 CNN një nga banorët e fshatit të harruar.
Fjalët e këtyre banorëve të lindur dhe rritur në Vishoticë, nuk lënë shumë vend për shpresë dhe duket që është çështje kohe derisa ky fshat të kujtohet vetëm për të kaluarën e tij.