Çmimi i naftës u rrit sërish në pritje të takimit të OPEC që do të vendosë për politikën e prodhimit për vitin e ardhshëm.
Nafta brent po tregtohet në mbi 83 dollarë aktualisht, duke u shtrenjtuar me rreth 4%. Grupi OPEC+, i cili përfshin Organizatën e Vendeve Eksportuese të Naftës dhe aleatët, përfshirë Rusinë, pritet të mbajë takimin të enjten për të diskutuar shkurtimet shtesë të prodhimit që mund të variojnë nga 1 milion deri në 2 milion fuçi në ditë në fillim të vitit 2024.
Takimi, fillimisht ishte planifikuar të mbahej javën e kaluar, por u shty për shkak të mosmarrëveshjeve mbi kuotat e prodhimit për prodhuesit afrikanë. Arabia Saudite po ushtron presion ndërkohë ndaj anëtarëve të tjerë të OPEC që ti bashkohen në frenimin e prodhimit të naftës për të shmangur tepricat për vitin e ardhshëm.
Rezultati më i mundshëm është që Arabia Saudite të zvogëlojë prodhimin prej 1 milion fuçi në ditë të paktën deri në tremujorin e partë të vitit të ardhshëm dhe pjesa tjetër e anëtarëve të OPEC. Por, nëse do të ketë një reduktim më të thellë analistët shprehen se kjo mund të sillte një rritje me 5 dollarë të çmimit të naftës.
Ndërkohë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, rezervat e naftës së papërpunuar u rritën për të gjashtën javë në nivelet më të larta që nga korriku sipas të dhënave së Informacionit të Energjisë.
Pesimizmit në anën e kërkesës ndërkohë i shtohen problemet e vazhdueshme ekonomike të Kinës, të reflektuara në të dhënat më të fundit të ecurisë së fabrikave që treguan për një tkurrje për të dytin muaj radhazi gjatë nëntorit.