Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Arbërie Nagavci, ka thënë se Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KSHC), është i pavarur dhe se vendimet i merr vet, raporton Gazeta Enigma.
Ministrja e hoqi përgjegjësinë nga vonesat e KSHC-së për akreditimin e 239 programeve në universitetet publike, duke thënë se detyra e saj si ministre ka përfunduar në ditën kur ky Këshill është votuar në Kuvend.
Më tutje, Nagavci deklaroi se nga ana e ministrisë të gjitha procedurat janë kryer me kohë.
“Në momentin që e kam pranuar detyrën e kam gjetur KSHC-në jo funksional. I kam filluar me kohë dhe me rregull procedurat që ky institucion të bëhet funksional. E kemi sjellë për miratim në Kuvend. Ju kam bërë thirrje që të jeni të përgjegjshëm por nuk e keni pasur as vullnetin as dëshirën që ta votoni këtë Këshill. Ai është i pavarur dhe detyra ime si ministre ka përfunduar kur ky Këshill është votuar në Kuvend”.
Ministrja nga Kuvendi i Kosovës i ka bërë thirrje KShC-së dhe Agjencisë Kosovare të Akreditimit që të kryejnë detyrat e tyre për akreditimin e këtyre programeve.
“Këshilli i përgjigjet Kuvendit dhe ju mund të interesoheni nëse ata po i kryejnë detyrat e tyre. Unë nga këtu bëjë thirrje nga Këshilli dhe Agjencia që ata ta kryejnë detyrën e tyre”.
Ndaj kësaj deklarate të ministres ka reaguar deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami.
Ajo tha se KShC-ja qëllimisht e ka dështuar mbledhjen e parë për akreditimin e këtyre programeve.
“Qëllimisht është dështuar. Një mbledhje e kanë mbajtur dhe ajo ka dështuar. Mbledhjen tjetër e kanë caktuar me 27 korrik. Ajo që e thashë, për herë të parë pas 20 vitesh në Kosovë nuk ka afat për pranim të studentëve në muajin korrik”./Gazeta Enigma/