Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagvci, ka thënë se është shumë e rëndësishme që nxënësit në të gjitha shkollat e Kosovës të kenë qasje në arsimin digjital.
“Në një botë që po bëhet gjithnjë e më digjitale, me teknologjinë e informacionit në bosht të saj, është tejet e rëndësishme që edhe nxënësit tanë të kenë themel të fortë të arsimit digjital. Kjo përfshin jo vetëm aftësitë bazë kompjuterike, por të kuptuarit e kodimit të sigurisë kibernetike dhe të komponentëve tjera të cilët janë të ndërlidhura”, tha Nagavci.
Ministrja i bëri këto komente gjatë tryezës së rrumbullakët nga MAShTI, në bashkëpunim me Zyrën e UNICEF-it në Kosovë dhe Bashkimin Evropian, me temën “Nga politika në praktikë: Transformimi i Arsimit përmes Mësimit Digjital”.
Tutje Nagavci tha se mësimi virtual mund t’u siguroj nxënësve dhe mësimdhënësve më shumë fleksibilitet dhe përvoja të personalizuara të të nxënit.
“Në mënyrë që shkollat tona të kenë qasje në internet të shpejtë, Ministria e Ekonomisë ka arritur që të bëj mbulueshmërinë me internet dhe sigurimin e pajisjeve në shkolla. Në mesin e përfitimeve të mësimit online, është fakt se ai mund t’u siguroj nxënësve dhe po ashtu mësimdhënësve më shumë fleksibilitet dhe përvoja të personalizuara të të nxënit dhe gjithashtu mund të bëj arsimin më të afërt për të gjithë fëmijët, pa marrë parasysh ku ata jetojnë, në zonat urbane apo rurale”, deklaroi Nagavci.