Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka takuar drejtorët e Drejtorive Komunale të Arsimit, të cilëve ka thënë se u ka kërkuar bashkëpunim në mënyrë që procesi lidhur me alokimin e fondeve për blerjen e teksteve shkollore të realizohet me sukses.
Pas takimit, Nagavci ka shkruar se “deri tani në portalin e-Kosova janë pranuar rreth 80,000 aplikime në platformën e cila do të jetë e hapur deri në fund të muajit shtator”.
Ajo ka thënë se i ka njoftuar drejtorët se prindërve që tashmë kanë aplikuar për tekste dhe materiale, mjetet pritet t’iu deponohen në llogari para datës 1 shtator.
“Drejtorët Komunalë të Arsimit i njoftova se prindërve që tashmë kanë aplikuar për tekste dhe materiale, mjetet pritet t’iu deponohen në llogari para datës 1 shtator. Lidhur me një nga sfidat kryesore në të cilën kanë hasur prindërit -aplikimi online për fëmijët që mbushin 6 vjeç pas 1 shtatorit, i sigurova se këto dhe të tjera ankesa po trajtohen me seriozitet dhe përkushtim nga ekipet mobile. U rikujtova pjesëmarrësve se komunat tashmë janë informuar që shkollat mund të bëjnë përzgjedhjen e titujve të teksteve, të cilat mësuesit duhet t’i ndajnë me prindërit para fillimit të procesit mësimor. Ndërkohë, shtëpitë botuese kanë konstatuar se ka tekste të mjaftueshme, dhe nuk do të ketë probleme me furnizimin e librarive”, ka shkruar ajo në Facebook.