Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ia ka dorëzuar kryeministrit, Albin Kurti, raportin e fazës së parë të rishikimit të teksteve të gjuhës shqipe dhe matematikës në takimin e mbajtur sot.
Kështu bëri të ditur ministria përmes një postimi në Facebook.
Kurti me këtë rast ka thënë se, tema e këtij takimi është çështje thelbësore për arsimin, pasi rishikimi i teksteve është vendimtar për cilësinë e arsimit dhe edukimit, ku me kërkesë të MAShTI-it ka filluar procesi i rishikimit të 38 teksteve, 21 të gjuhës shqipe dhe 17 të matematikës.
Lënda e gjuhës dhe ajo e matematikës janë vendimtare për formimin e nxënësve dhe për karrierat e tyre në të ardhmen, veçoi ai.
Në lidhje me raportin e përgatitur, kryeministri tha se ai paraqet një bazë të mirë për korrigjimin dhe avancimin e teksteve mësimore.
“Shpresojmë dhe besojmë se ky raport do të nxisë debat publik të mësimdhënësve, prindërve, nxënësve, ekspertëve të arsimit dhe të gjithë atyre që e kuptojnë që ardhmëria e vendit tonë varet nga ngritja e cilësisë së arsimimit dhe të edukimit”, tha kryeministri.
Ndërsa, Nagavci tha se kërkesa për fillimin e këtij procesi ka qenë insistim i MAShTI-it dhe me mbështetjen e BE-së ka përfunduar faza e parë, ku janë rishikuar tekstet e gjuhës shqipe dhe matematikës, ndërsa janë në proces të fillimit të rishikimit tekstet e shkencës.
Ajo bëri të ditur se tekstet e gjuhës shqipe dhe matematikës janë zgjedhur duke pasur parasysh rezultatet e testit PISA duke i ditur rezultatet e nxënësve në këto lëndë.
Ministrja shtoi se përveçse do të vazhdohet me rishikimin e teksteve të tjera, po ashtu planifikohet që të gjitha këto raporte t’i ndajnë më shtëpitë botuese me autorët e teksteve dhe do të jetë obligim i tyre që t’i përmirësojnë në bazë të gjetjeve të cilat janë bërë.