Nagavci: Sa herë që përpiqen të na ndalin, ne dalim edhe më të fortë

Nagavci: Sa herë që përpiqen të na ndalin, ne dalim edhe më të fortë

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka thënë se partitë ish-opozitare shqiptare dhe Lista Serbe pamundësuan formimin e Qeverisë Kurti 3, pas seancës së sotme të jashtëzakonshme.

Nagavci me anë të një shkrimi në ‘Facebook’ ekzagjëroi paksa situatën, duke thënë se falë Lëvizjes Vetëvendosje dhe Albin Kurtit, Qeverinë e Kosovës s’e përcakton më Beogradi.

“Nuk ka më as marrëveshje koalicioni që në nenin e parë parashikojnë “… do të formohet Asociacionin brenda 3–5 muajsh”, siç ishte rasti me marrëveshjen PDK–LDK–Srpska”, thotë Nagavci.

“Sot, PDK, LDK, AAK, NISMA dhe Lista Serbe, të gjithë bashkë, pamundësuan jetësimin e vullnetit të shumicës së qytetarëve, pamundësuan formimin e Qeverisë Kurti 3. Ky është skenar që e kemi parë edhe më herët, kur u rrëzua Qeveria Kurti 1”, thuhet ndër të tjera në shkrimin e saj.

Kurti nuk arriti t’i marrë votat e nevojshme që ta krijojë qeverinë e re. Pjesë e propozimit të kabinetit qeveritar të tij s’ishte Nagavci për dikasterin e Arsimit, por Avni Zogiani. 

Shkrimi i plotë i Nagavcit:

Lëvizja ka qenë dhe do të mbetet përherë me qytetarët, për të mirën e vendit, për drejtësi, për barazi e zhvillim. Qytetarët e dinë këtë, ata vlerësojnë integritetin e Kryeministrit Albin Kurti, guximin e tij, ndershmërinë dhe përkushtimin e tij të palëkundur.

Falë Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe Kryeministrit Kurti, Qeverinë e Kosovës nuk e përcakton më Beogradi përmes Listës Serbe, ata nuk janë më faktorë në vendimmarrje.

Nuk ka më as marrëveshje koalicioni që në nenin e parë parashikojnë “… do të formohet Asociacionin brenda 3–5 muajsh”, siç ishte rasti me marrëveshjen PDK–LDK–Srpska.

Shteti nuk mund të dëmtohet për hir të pushtetit!

Sot, PDK, LDK, AAK, NISMA dhe Lista Serbe, të gjithë bashkë, pamundësuan jetësimin e vullnetit të shumicës së qytetarëve, pamundësuan formimin e Qeverisë Kurti 3. Ky është skenar që e kemi parë edhe më herët, kur u rrëzua Qeveria Kurti 1.

Por, sa herë që përpiqen të na ndalin, ne dalim edhe më të fortë.

Vazhdojmë punën, angazhimin dhe përkushtimin për vendin tonë.Për zhvillim, për drejtësi, për Republikën!Kthim prapa s’ka.

Është koha e Albin Kurtit, është koha e VETËVENDOSJES!

Related Articles