Naim Murseli është arrestuar sot nga Policia e Kosovës dhe hetuesia nën dyshimet se është i përfshirë në rastin e vrasjes së bashkëshortes së tij Liridona Murselit. Për vrasjen e viktimës, Murseli dyshohet se e ka paguar 30 mijë euro një person tjetër të dyshuar me inicialet G.P e që për Prokurorinë po konsiderohet dorasi.
Megjithatë duket që çifti s’kanë pasur kohë të lehta mes vete. Në një dokument që ka siguruar Gazeta Express konfirmohet se Naimi dhe Liridona kishin bërë një kërkesë të përbashkët për divorc përpara autoriteteve suedeze në janar të vitit 2019.
Megjithatë divorci s’kishte ndodhur, meqë brenda periudhës gjashtë muaj deri në një vit, të asaj që cilësohet periudhë e konsiderimit apo shqyrtimit, asnjëri s’kishin shkuar për të konfirmuar se duan divorcin.
Gjykata e Qarkut të qytetit Uddevalla më 24 shkurt të vitit 2020 kishte marrë vendim për të pushuar çështjen nga procedimi i mëtejshëm.
“Më 31 janar 2019, Liridone Murseli dhe Naim Murseli kanë dorëzuar një deklaratë të përbashkët divorci.Gjykata e Qarkut vendosi që divorcit t’i paraprihet një periudhë shqyrtimi prej të paktën gjashtë muajsh dhe maksimumi një vit. Në lidhje me vendimin, gjykata e rrethit njoftoi palët se mund të kërkonin me shkrim ndarjen brenda afatit të caktuar. Asnjë kërkesë për vendim për divorc nuk ka mbërritur në gjykatën e rrethit.Çështja e ndarjes ka rënë. Gjykata e Qarkut e pushon çështjen nga procedimi i mëtejshëm”, thuhet në vendim.