Të rralla janë rastet kur deputetët e Kuvendit të Kosovës hoqën dorë nga ulësja e tyre për t’ua liruar atë kolegëve të tyre që s’patën mundësinë për t’i fituar votat e nevojshme për të hyrë në Kuvend.
Por, ndër rastet e rralla, dhe atë për shkaqe shëndetësore, këtë pozitë e la të lirë, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Vasfije Krasniqi Goodman.
Krasniqi-Goodman ditë më parë përmes një shkrimi në ‘Facebook’ njoftoi për dorëheqjen e saj duke treguar nevojën e trajtimit të përmuajshëm që do ta ketë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës, duke qenë se jam në një trajtim mjekësor, dhe si rezultat në këtë fazë të trajtimit më duhet që për çdo muaj të kem vizita të rregullta, dhe përderisa i njëjti mund të zgjas, mua më vështirësohet, përkatësisht pamundësohet tani dhe ndoshta edhe në të ardhmen realizimi i obligimeve të mija si deputete”, kishte njoftuar Vasfije Krasniqi.
Ulësen e Krasiqit pritet ta zë kandidati për deputet nga radhët e ‘Listës Guxo’, Nasuf Bejta. I cili përveçc që nuk fitoi postin e deputetit, nuk fitoi as edhe një votë atëhere kur garoi si kundërkandidat i Vjosa Osmanit për të parin e vendit.
Ndryshe ky rasti i Vasfije Krasniqit, janë rastet kur deputetët e legjislaturës së fundit dhanë dorëheqje për të qenë të parët e komunave të vendit në garën e 17 tetorit të vitit të kaluar.
Alban Hyseni ishte njëri nga ish-deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) që dha dorëheqje nga pozita e tij për të gëzuar atë të kryetarit të Komunës së Gjilanit, ndërsa vendin e tij e zuri Halil Thacci.
“Sot firmosa dokumentin e dorëheqjes nga pozita e deputetit. Ju faleminderit të gjithë kolegëve pa dallime partiake, për bashkpunimin gjatë kësaj periudhe. Tani na presin detyra të reja dhe hapjen e një kapitulli të ri për Komunën e Gjilanit.”, pati shkruar Hyseni në dhjetor të vitit të kaluar.
Fadil Nura ishte njëri nga ish-deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), i cili dha dorëheqje nga Kuvendi i Kosovës për pozitën e të parit të Komunës së Skenderajit.
“Ju njoftoj se kam dhënë dorëheqje nga pozita e deputetit në Parlamentin e Republikës, ku me përgjegjësi jam angazhuar për të mbrojtur përveç tjerash edhe interesat e komunës sonë”, ishte shprehur ai, gjersa në vend të tij erdhi Isak Shabani.
E, pati edhe deputet që dhanë ulësen e tyre me synimin për të marrë Komunën e Prishtinës por që dolën të pasuksesshëm përballë Përparim Ramës, kandidatit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).
Uran Ismaili ishte ai që dha dorëheqje nga të qenit deputet për t’iu përkushtuar dhe fituar komunën më të madhe në vend por që nuk ia doli të ishte as i dyti me numrin e votave që fitoi.
“Sot dhashë dorëheqjen time nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Dua të falënderoj të gjithë qytetarët që më votuan dhe më dhanë nderin dhe privilegjin për t’i përfaqësuar në Kuvend. Ky funksion, megjithatë, besoj se është i papajtueshëm me qëllimin tim për t’u bërë Kryetari i ardhshëm i Prishtinës. Si Kryetar i Prishtinës, detyra ime do të jetë t’u shërbej të gjithë qytetarëve”, ishin fjalët e Ismaili, ndërsa në vend të tij, karrigen e deputetit e zuri Hisen Berisha.
Përvec Ismailit, një veprim të njejtë bëri edhe ish-deputeti nga radhët e Alenacës për Ardhëmrinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj i cili dha dorëheqje disa muaj më herët nga pozita e tij për t’u përgatitur për garën e të parin të Prishtinës.
“Dëshiroj të ju falënderoj për besimin e dhënë tash e sa mandate, besim të cilin jam munduar ta kryej me nder duke qenë zëri juaj në Kuvend. Po ma kërkon struktura angazhimin në terren dhe nuk dua t’a bëj punën në terren në dëm të mandatit të popullit.”, ishin fjalët e tij, duke i lënë vendin në Kuvendin e Kosovës, Shemsedin Dreshajt.
Në anën tjetër, lirimi i një ulëseje të deputetit për t’u bërë President, Kryeministër dhe Ministër kishte garancën e vet dhe mungesën e rriskut, jo si të kolegëve paraprak.
Vjosa Osmani e la pozitën për t’u bërë presidente, Albin Kurti si më i votuari u nominua dhe u bë kryeministër, ndërsa i bëri ministra kandidatët e tjerë që fituan ulëse në Kuvend: Donika Gërvalla, Armend Muja, Faton Peci, Arbërie Nagavci, Herkuran Murati, Rozeta Hajdari, Xhelal Svecla, Liburn Aliu e Harjullah Ceku.
E në këtë legjislaturë pati edhe ndryshim të ulëses në Kuvend. Ky është rasti kur deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Adelina Grainca kaloi nga ky subjekt në atë të Lëvizjes Vetëvendosje.
Sipas Graincës largimi i saj nga PDK ka qenë për shkaqe politike pasi që siç ka thënë në një reagim, ajo nuk ka pasur përkrahje nga ky subjekt.
“E gjithë kjo për shkak të moshës si dhe mungesës së përvojës në sferën e politikës. E përveç kësaj, edhe për shkak që nuk kam qenë pjesë e taborëve politike të mirë-vendosura. Që nga fillimi më kanë neglizhuar si në nivelin lokal po ashtu edhe në atë qendror duke mos më ofruar mundësi për zhvillim si një politikane e re dhe si person që përfaqëson rininë në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, kishte thënë ajo.
Kalimi i Graincës ishte një mundësi e favorshme që partia në pushtet e përdori për të shtuar numrin e votave të nevojshme për Vjosa Osmanin, e cila e fitoi ulesen e të parës së vendit më 4 prill të vitit 2021.
Ndërsa i fundi kalim nga partia në parti, është rasti i deputetes Daorsa Kica-Xhelili, e cila nga në fillim të këtij muaji nga Lista Guxo që ishte pjesë e grupit parlamentar të VV-së kaloi në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK).
“Guxo për mua rrugës nuk ishte më platforma që unë mund ta shihja vlerën e shtuar në kuptim të vizionit. Unë sot jam në LDK është sepse LDK-ja ka pësuar reforma. Në listën Guxo hyra për reformën në drejtësi. Këtë e kam thënë gati në çdo takim. Asgjë s’ka ndryshuar,” pati ka thënë deputja më e re e LDK-së.