Natë e qetë në Bërnjak, ditën protestojnë edhe gratë

Natë e qetë në Bërnjak, ditën protestojnë edhe gratë

Trupat operative e intervenuese, të shtunën kanë arritur përfundimisht ta zhvendosin “folenë” e protestuesve serbë të cilët që nga e hëna po e kundërshtojnë reciprocitetin për targat që u vendos nga Qeveria në Prishtinë.

Që nga nata e parë, njëri nga objektet afariste në atë vend është shfrytëzuar nga protestuesit serbë për të qëndruar, ndërsa në natën e gjashtë, ky lokal është nën kontroll të plotë të Policisë së Kosovës.

Nga këtu tashmë po shkurtohet edhe kolona, pasi dy kamionë u larguan vullnetarisht nga këtu, megjithëse njëri mbeti i parkuar pak më tej, pasi vozitësi shqiptar nuk u lejua të kalojë në Serbi.

Protestuesit tashmë po mblidhen rreth 2 kilometra larg këtij vendi, matanë urës që e kanë bllokuar vetë përmes kamionëve me zhavor.

Rutinën e kanë të njëjtë. Muzikë, skarë e pije sikurse dëshmohet nga mbetjet e shisheve.

Herë-herë lëshohen edhe fjalime të shoqëruara me alarm. Megjithatë, këto thirrje nuk u shndërruan në incidente. Lëvizje të dyshimta nuk ka as në Zubin Potok ku një natë më parë u dogj Qendra për Regjistrim të Automjeteve.

Posa zbardh e diela, në rrugët e kësaj komune veriore zbarkojnë automjetet me grupin e policëve që do ta mbajë ndërrimin e ditës. Dorëzim-pranimi i detyrës ndodh në sy të protestuesve që nuk shfaqin reagim. Edhe zyrtarët e rendit e kryejnë punën e tyre si duhet.

Numri i kundërshtuesve të reciprocitetit që ishte i vogël gjatë natës, fillon të rritet kah mesdita kur në turmë bashkohen edhe qytetarë tjerë, mes tyre edhe gra.

Related Articles